Komisioni “Antikorrupsion”, shoqëria civile vlerëson pozitivisht digjitalizimin e shërbimeve
Që prej 15 tetorit Shqipëria ka nisur një fazë të re në procesin e integrimit europian dhe vend kryesor zënë dhe elementët që lidhen me mirëfunksionimin e administratës publike, që nga etika, integriteti dhe parandalimi i korrupsionit, që e bëjnë një administratë funksionale përballë qytetarëve.
Komisioni i Posaçëm parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit zhvilloi sot tryezën e parë publike mbi integritetin e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve digjitale për parandalimin e korrupsionit.
Adian Haçkaj, nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, tha se nga gjetjet nga shoqëria civile dhe komuniteti akademik, pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, del në pah nevoja për harmonizimin e ligjeve ekzistuese, si dhe nxjerrjen e akteve nënligjore për të bërë të zbatueshëm ligjet.
“Pas ndërtimit të një arkitekture, pas reformave të ndryshme, ka ardhur koha për harmonizimin e ligjeve për të bërë më eficient funksionimin e brendshëm të institucioneve”, u shpreh Haçkaj.
Nga ana tjetër, u vu në dukje se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit.
Migena Leskoviku, nga Instituti i Studimeve Europiane, tha se progresi i digjitalizimit në Shqipëri ka arritur të lehtësojë proceset administrative, ka përmirësuar aksesin në shërbimet publike, ka reduktuar kostot, radhët dhe ka bërë të mundur të ulen dhe shpenzimet për qytetarët, duke u llogaritur në një shumë prej 12 milionë lekësh.
“Në këtë kuadër një histori suksesi është portali e-Albania, i cili ka përmirësuar mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike dhe ndërkohë në vazhdën e përmirësimit të ofrimit të këtyre shërbimeve planifikohet ristrukturimi dhe dizenjimi i ri i këtij portali dhe shërbimeve që ofron”, shtoi Leskoviku.
Po ashtu, ajo e cilësoi pozitiv faktin që aktualisht janë 63 regjistra elektronikë të ndërveprueshëm që mundësojnë që 68% e fushave të formularëve të plotësohen automatikisht.
Në krye të procesit të digjitalizimit, për efekt të koordinimit dhe zbatimit, është AKSHI.
“Digjitalizimi duhet të shkojë drejt forcimit të parametrave të sigurisë kibernetike të infrastrukturës digjitale, për efekt të mbrojtjes së të dhënave personale”, tha ajo.
Sa i përket etikës, ekspertët shprehen se Shqipëria që prej vitit 2003 ka një ligj për rregullat e etikës në administratën publike, i hartuar sipas modelit të Këshillit të Europës që ka rregulluar normat e etikës brenda nëpunësve të administratës publike, siç ka dhe vendime e akte nënligjore.
Sfidë mbetet një vëmendje më e shtuar drejt pushtetit vendor, pasi ekspertët gjetën se fokusi është te pushteti qendror, ashtu sikurse qasja gjithpërfshirëse.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i OSBE-së, Aleksandar Maskovic, i pranishëm në këtë tryezë, ofroi mbështetje.
“OSBE ka një eksperiencë të gjerë për sa i përket legjislacionit në lidhje me kapacitetet e administratës dhe jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për rishikimin e legjislacioneve të ndryshme në rast se do të jetë e nevojshme”, tha ai.
Ai theksoi nevojën e ngritjes së kapaciteteve sa i takon deklarimit sa më efikas të pasurisë.
“Nevojiten struktura më të mira për të mbështetur implementimin efikas të procesit të deklarimit nga organet që janë të detyruara për të marrë këto deklarime dhe për të marrë sqarimet e tyre”, tha ai.
Shqipëria ka kaluar në shumë faza reformash dhe administrata publike ka qenë një nga shtyllat që ka përjetuar reforma në mënyrë të vazhdueshme dhe do të vazhdojë të jetë subjekt i reformave deri në përmbylljen e negociatave, por edhe në vazhdimësi.
