Rriten rastet e bull*zimit online/ Shqipëria, 18 sulme në 2024! PNUD e AKSK: Forcim i kapaciteteve për sigurinë kibernetike

Në një përpjekje për të forcuar kapacitetet e sigurisë kibernetike, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe AKSK po ndajnë eksperienca nga vende të tjera, me fokus në trajnimin e profesionistëve. Igli Tafa, Drejtori i AKSK-së, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe iniciativave për të lidhur universitetet me trajnimet për studentët.  Ndërkohë në 9 muajt e parë të vitit janë evidentuar rastet e bullizimit online të të miturve

Nga janari deri në shtator të vitit 2024, Shqipëria ka menaxhuar me sukses 18 sulme kibernetike nga 20 të raportuara.

Për të adresuar kërcënimet kibernetike në rritje, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, në bashkëpunim me AKSK-në dhe partnerë të tjerë, ndanë eksperiencat nga vende të ndryshme, duke u fokusuar në trajnimin dhe zhvillimin e kapaciteteve për të krijuar një fuqi punëtore të aftë në këtë fushë.

Igli Tafa, Drejtori i Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për forcimin e mbrojtjes kombëtare. Ai gjithashtu tha se duhet një plan për të mundësuar trajnimet e studentëve.

Francisco Roquette i UNDP-së e përshkroi takimin si një mundësi për ndarjen e praktikave më të mira dhe për krijimin e një Rrjeti të Bashkëpunimit për Sigurinë Kibernetike, i cili do të mundësojë ndarjen e informacionit në kohë reale.

Por puna e Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike nuk ndalet thjesht tek siguria kibernetike, por edhe te raportime për përmbajtje të paligjshme lidhur me fëmijët, ku nga 176 të raportuar, 109 kanë qenë raste që lidhen me bullizimin online.

Shqipëria mbetet e angazhuar në përpjekje  për të avancuar sigurinë kibernetike.