Universiteti Politeknik i Tiranës, Manastirliu: Laborator me teknologji të avancuar në Departamentin e Kimisë

Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës kanë tashmë një laborator të modernizuar të Departamentit të Kimisë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu bashkë me rektorin Akli Fundo dhe stafin akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës vizituan këtë laborator.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “ky laborator ka rritur kapacitetet jo vetëm sa i përket aparaturave edhe në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore. Vetëm në 2024 universiteti politeknik është mbështetur me 12 projekte të financuara nga MAS përmes kësaj agjencie dhe nga ana tjetër kemi financuar 130 projekte”.

“Investimet tona në zhvillimin e infrastrukturës kërkimore dhe laboratorike në universitete krahas ligjit të ri Për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, do të ofrojnë perspektiva të reja për universitetet tona për bashkëpunime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor”, theksoi Manastirliu.

Një pedagoge tha se “këta laboratorë bëjnë të mundur që në të thellojmë edhe më tepër studimet në fushat e zhvillimit të parametrave fiziko-kimikë në ajër apo edhe në dhera. Aparaturat që ne kemi marrë nëpërmjet këtij projekti janë të gjitha të standardeve europiane”.

Një studente u shpreh se “nëse në fillim filluam të merrnim në mënyrë teorike grimcat , përmasat më pas kur filluam punën edhe me filtrin gjërat filluan të ishin më të prekshme dhe më të qarat për ndotjen grimcat e të gjitha me radhë”.

Rektori Akli Fundo “qëllimi ynë është që këtë laborator ta akreditojmë sipas normave të BE-së”.

Ky laborator është pajisur me teknologji të avancuar falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe do t’i shërbejë zhvillimit të kërkimit shkencor dhe përmirësimeve mjedisore në vend.