Spanja jep alarmin/ Paralajmëron për reshje që mund të arrijnë deri në 150 litra për metër katror

Autoritetet spanjolle shpallën një alarm të ri për mot të keq në provincën e Valencias, duke ngritur nivelin e rrezikut në portokalli.

Agjencia Shtetërore Meteorologjike paralajmëroi për reshje që mund të arrijnë deri në 150 litra për metër katror brenda 12 orëve, veçanërisht në bregdetin dhe brendësinë veriore të Castellónit.

Paralajmërimi përfshin edhe provincën e Almerías, ku është shpallur alarm i kuq për shkak të rrezikut ekstrem nga përmbytjet dhe daljet e lumenjve nga shtrati.

Agjencia këshillon qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale. Këto paralajmërime vijnë pas përmbytjeve shkatërruese në rajonin e Valencias, ku numri i viktimave ka tejkaluar 214.

Mbreti Felipe vizitoi zonat e prekura, por u përball me protesta nga banorët e zemëruar. Shumë prej personave që e pritën hodhën akuza për reagim të ngadaltë dhe që nuk u lajmërua në kohë.

Kërkimet vazhdojnë ende ndërsa shpresat zbehen gjithnjë e më shumë.

Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar për rrezikun e infeksioneve për shkak të ujit të ndotur dhe sistemeve të kanalizimeve të mbingarkuara.

Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi dërgimin e 10,000 ushtarëve dhe policëve shtesë për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës.

Banorët e zonave të prekura këshillohen të ndjekin me kujdes njoftimet e autoriteteve dhe të marrin masat e nevojshme për të siguruar sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre.