“Arkivat” me platformë të re kërkimore audio e video, 8 071 kaseta nga fondit personal i diktatorit Hoxha
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar platformën më të re kërkimore “Audio dhe Videotekën online”, duke sjellë në kompjuterin personal të studiuesve materialet dëgjimore dhe filmike mbi zhvillimet politike në Shqipërinë e pasvitit 1945.
8,071 kaseta dhe 318 videokaseta, që u përkasin fondit personal të diktatorit Enver Hoxha dhe fjalimeve të mbajtura nga përfaqësues të nomenklaturës komuniste në takime, në plenume, në mbledhje të Komitetit Qendror, të komiteteve dhe të organizatave të Partisë së Punës së Shqipërisë, janë pjesë e arkivit audiovizual, që po i nënshtrohet procesit të digjitalizimit, për t’u bërë i aksesueshëm kudo dhe kurdoherë në adresën videoteka.arkiva.gov.al.
Në prezantimin e kësaj platforme ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Marinela Ndria, historianë dhe studiues, që e vlerësuan këtë risi, si një shtysë për ndërmarrjen e hulumtimeve të mëtejshme.
Bido bëri me dije se përdorimi për qëllime didaktike i këtyre materialeve do të jetë falas, duke i ofruar gjeneratës së re një mundësi për të mësuar mbi historinë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist. Ndërsa Marinela Ndria e cilësoi platformën si mjaft të dobishme për ruajtjen afatgjatë të materialit arkivor.
Me rreth 19 milionë dokumente të digjitalizuara në 5-vjeçarin 2019-2024, DPA-ja përfaqëson arkivin qendror më të digjitalizuar në Europë.
