Rritja e çmimit të energjisë, “Konkurrenca” nën monitorim ndërmarrjet e prodhimit të bukës

Autoritetit i Konkurrencës vendosi menjëherë nën monitorim çmimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës pas hyrjes në fuqi të vendimit të prillit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

“Sot Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga informacione mediatike në lidhje me njoftimin e furrave të bukës për rritjen e çmimit të bukës, filloi monitorimin e menjëhershëm në terren për evidentimin e çdo sjelljeje abuzuese në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës””, bën të ditur Autoriteti.

Autoriteti i Konkurrencës informoi se ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

“Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të prodhimit dhe tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme”, thuhet në reagimin e Autoritetit.

Në muajin prill Enti Rregullator i Energjisë miratoi çmimet e reja të shitjes së energjisë elektrike për klientët “furra buke/prodhim mielli” të lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV.

Deri tani furrat e bukës paguanin një çmim prej 7.6 lekë për kilovat-orë, edhe në rastet kur ato kishin të integruar edhe shërbimin e prodhimit dhe shitjes së pastiçerisë dhe bar-kafe.

Sipas vendimit të Bordit, për kategorinë e parë ku përfshihen furrë buke dhe prodhim mielli, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 7.6 lekë/kWh, ndërsa çmimi në orar pik është 8.74 lekë për kWh.

Për kategorinë e dytë, ku përfshihen furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 lekë/kWh, ndërsa çmimi në orar pik është 10.93 lekë/kWh.

Për kategorinë e tretë, ku përfshihen furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim kafe (ekspres), çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 12 lekë/kWh, ndërsa çmimi në orar pik është 13.80 lekë/kWh.

Orar piku për periudhën 1 nëntor – 31 mars është 18:00-22:00, ndërsa për periudhën 1 prill – 31 tetor është 19:00-23:00.