Egnatia dhe Dinamo e mbyllin në ''paqe'', Bylisi shkatërron Teutën me ''poker'' golash
Egnatia dhe Dinamo ndanë pikët në ndeshjen e luajtur në Rrogozhinë, e cila përfundoi me rezultatin 1-1.
Ndeshja ishte mjaft e bukur në pjesën e parë me raste në të dyja portat, me dy gola, një në secilë portë, të realizuar nga pika e bardhë e penalltisë: Lushkja realizoi për vendësit dhe Bregu për kryeqytetasit.
Në fraksionin e dytë të lojës, një karton i kuq i shpejtë i Aleksit bëri që sfida të humbte pak shkëlqimin, pasi rrogozhinasit u mbrojtën me forca të shtuara, ndërsa blutë nuk ishin në gjendje të realizonin një tjetër gol në portën e Dobjanit.
Të dyja skuadrat morën nga një pikë, duke iu bashkuar Partizanit në krye të renditjes, por me ''Demat'' që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në ndeshjen tjetër të orës 14:00, Bylisi mori një fitore të thellë 4-0 përballë Teutës, duke iu larguar vendit të fundit, që mbahet nga Laçi.
Nga dy gola për secilën pjesë shënuan vendasit në “Adush Muçaj”.
Kryesori Ditmir Grimçi akordoi nga një penallti për secilën pjesë në favor të Bylisit.
Golat u shënuan nga Abazaj, Berko, Ruçi dhe Gjata.
Me këtë humbje, skuadra e Edi Martinit mbetet në vendin e gjashtë.
