Musk: Amerikanët po bëhen të zgjuar lidhur me 'makinën e propagandës'

Një fitore për kandidaten demokrate Kamala Harris mund të sjellë një goditje ndaj lirisë së fjalës në SHBA, ka paralajmëruar miliarderi teknologjik Elon Musk.

Duke folur në një tubim për kandidatin republikan Donald Trump në Pensilvani të shtunën, CEO i Tesla dhe X u pyet se çfarë lloj administrate do të priste të shihte nga Harrisi nëse ajo fiton zgjedhjet e nëntorit.

"Do të shohim shumë censurë nën një lloj regjimi të Kamalës. Kamala është thjesht një kukull.

Nëse teleprompteri prishet, ajo nuk di çfarë të thotë," tha Musk, duke shtuar se ai preferon të mendojë për administratën si një "makinë të madhe qeveritare" që shfaq një fytyrë të caktuar për të tërhequr votuesit.

Në të kundërt, manjati tha se i konsideron pretendimet se Trump është "një rrezik për demokracinë" si "të çuditshëm dhe hipokrit", duke pasur parasysh se presidenti i SHBA-së Joe Biden u "largua" nga gara në një mënyrë "tejet jodemokratike".

"Ekziston qartë një shtytje e fortë për censurë nën maskën e luftimit të dezinformimit. Por dezinformimi është realisht një fjalë propagandistike.

Kush do të vendosë se çfarë është dezinformimi? Qeveria? Kjo është çmenduri," tha Musk.

Megjithatë, miliarderi tha se ai mbetet optimist për një ndryshim në mentalitetin kombëtar, pasi më shumë amerikanë refuzojnë të besojnë "çdo gjë që ju thonë mediat".

"Në fakt, në SHBA njerëzit kanë filluar të kuptojnë se media tradicionale është thjesht një makinë propagande," argumentoi ai, ndërsa audienca europiane "ende mendon se lajmi është i vërtetë".

Në qershor 2022, Harrisi udhëhoqi krijimin e Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për të adresuar ngacmimet dhe abuzimet në internet, me fokus në mbrojtjen e grave dhe komunitetit LGBTQ.

Në vitin 2019, zv/presidentja e SHBA-së i etiketoi platformat e rrjeteve sociale si ushqyese të "urrejtjes" dhe "dezinformimit" dhe tha se donte t'i bënte ato përgjegjëse për përmbajtjen që përhapnin.

Musk ka kritikuar vazhdimisht qeverinë amerikane për tejkalim dhe përpjekje për të prezantuar atë që ai e sheh si moderim të tepruar të përmbajtjes.

Ndërsa manjati më parë pozicionohej si politikisht neutral, ai mbështeti publikisht Donald Trump-it pasi ish-presidenti i mbijetoi një atentati në korrik, duke dhuruar dhjetëra miliona dollarë për fushatën e tij.

Republikani, nëse fiton, ka premtuar të krijojë një post të ri qeveritar të quajtur 'sekretar për uljen e kostove', i përshtatur posaçërisht për Musk-un.