Rrëfimi i Lukakut: Kam qarë për ditë të tëra, Henry më bindi...
Sulmuesi i Napolit, Romelu Lukaku, zbuloi në një bisedë me podkastin e “Miqve të Sportit” se ishte në prag të përfundimit të karrierës së tij ndërkombëtare pas Kupës së Botës 2022, të zhvilluar në Katar.
Në raundin e tretë të fazës së grupeve, belgët barazuan pa gola ndaj Kroacisë, por vetëm fitorja u shërbente për t'u kualifikuar në fazën tjetër.
Në përfundim të atij takimi ai u ndje shumë keq, pasi humbi disa mundësi të pastra shënimi.
“Ne barazuam me Kroacinë, në atë ndeshje kam humbur katër gola të pastër.
Zoti vendosi që duhej të ishte kështu, në rregull, por kur e kuptova se çfarë kishte ndodhur...
Unë kisha luajtur futboll për 23 vjet dhe kurrë nuk kisha ndier diçka të tillë.
Nuk e kam fjalën për depresionin, por pas Botërorit kam qenë me pushime për një javë dhe kam qarë për ditë të tëra.
U shkatërrova fizikisht dhe mendërisht”, tha lojtari, duke treguar se ishte Thierry Henry, asistenti i Roberto Martínez në atë kohë, ai që e bindi të mos tërhiqej nga kombëtarja.
“Më duhet t'i heq kapelën Henry-së, i cili më telefononte tri herë në ditë, çdo ditë, për të më mbështetur dhe për të pyetur se si po kaloja, sepse ai e dinte se si ndihesha.
Unë jam i varur nga futbolli dhe që nga ajo ditë deri në fund të Kupës së Botës nuk kam parë asnjë ndeshje, thjesht kam qarë çdo ditë.
Në momentin që Domenico Tedesco (trajneri aktual i Belgjikës) më takoi në Milano, isha gati t'i thosha se doja të largohesha nga kombëtarja, por ai tha se kishte nevojë për mua.
Shkova në shtëpi, e diskutova me familjen time dhe vendosa të vazhdoj. Në ndeshjen e parë me Tedescon, ndaj Suedisë, shënova një tregolësh, kujtoi Lukaku.
