Meloni akuzohet nga “Sea Watch”/ Organizata joqeveritare “shpërthejnë” ndaj kryeministres italiane për emigrantët
Vetëm pak ditë përpara mbërritjes së azilkërkuesve të parë në kampin e Gjadrit, kryeministria italiane është vënë sërish përpara kritikave për marrëveshjen e nënshkruar me vendin tonë.
E debati është fokusuar pikërisht tek paratë që pritet të shpenzojë qeveria italiane për ta.
Organizata joqeveritare “Sea Watch”, e njohur për kontributin e saj në shpëtimin e emigrantëve në det i është drejtuar vetë Georgia Melonit duke thënë se qeveria e vetëshpallur patriote e saj po shpenzon miliona euro për të burgosur mijëra emigrantë në Shqipëri.
“Paratë e taksapaguesve mund të ishin përdorur më mirë”, thuhet mes të tjerash në postim.
Por ndonëse nuk është hera e parë që kritikohet për këtë çështje kryeministrja këtë herë zgjodhi ti përgjigjej komentit.
Ajo deklaron se ka marrë një mandat të qartë nga qytetarët italianë për të mbrojtur kufijtë.
“Çfarë skandali! Një qeveri që me një mandat të qartë të marrë nga qytetarët punon për mbrojtjen e kufijve italianë dhe ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, përmes veprimeve konkrete dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, theksoi ajo.
Por Sea Watch replikoi sërish!
“Dhe cilat do të ishin veprimet konkrete zonja Meloni? Të financosh të ashtuquajturit roje bregdetare të përbërë nga trafikantë të vërtetë njerëzish? Të burgosësh mijëra njerëz të pafajshëm sepse ishin në varkën me të cilën mbërritën? Të shpenzosh miliona euro për burgjet jashtë shtetit?”, pyeti Sea.
Këtë herë Meloni zgjodhi ta lërë me kaq duke mos kthyer më përgjigje, por në rrjet debati vijoi.
Dy ditë më parë, mediat italiane publikuan lajmin se qendrat e ngritura për emigrantët në Shqipëri janë gati dhe këtë javë pritet të mbërrijnë në këtë vend dhe azilkërkuesit e parë.
Lidhur me këtë kreu i qeverisë shqiptare qartësoi edhe njëherë se marrëveshja nuk lejon që emigrantët të largohen nga kampet dhe të lëvizin lirshëm, pasi në raste të tilla do të ndërhyjnë forcat shqiptare.


