Kurti pritet nga Scholz: Pres me padurim rezultatet nga samiti i Procesit të Berlinit
Kryeministri Albin Kurti, është pritur nga kancelari gjerman Olaf Scholz, në prag të nisjes së samitit të Procesit të Berlinit.
Për pritjet Kurti ka shkruar në rrjetin social X, duke e vlerësuar lartë rolin që sipas tij ka luajtur Procesi i Berlinit për të sjellë më afër BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi punuar shumë për ta bërë samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit një sukses.
Për një dekadë, ai ka luajtur një rol kyç në mbajtjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku dhe për ta sjellë atë më afër BE-së.
Pres me padurim diskutimet dhe rezultatet”, ka shkruar Kurti në rrjetin social X.
Në takimin e sotme në kuadër të Procesit të Berlinit, në të cilin do të marrë pjesë edhe Kurti, është paralajmëruar nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe deklaratave në mes të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Tri nga pesë marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2022 në kuadër të Procesit të Berlinit nuk kanë gjetur zbatim ende.
Mes tyre është edhe marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Referuar këtij rasti, por edhe ngecjeve në marrëveshjet e tjera, zyrtarë të Komisionit Evropian janë skeptikë për përfitimet që mund t’i sjellë takimi i radhës në Berlin.
