Kuvendi i Kosovës në krizë/ Mungesë kuorumi, mbi 50 projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero
Mbi 50 projektligje në Kuvendin e Kosovës rrezikohen të kthehen në pikën zero. E gjitha kjo po ndodh si shkak i mungesës së kuorumit dhe dështimit të seancave parlamentare. Mbikëqyrës të punës së Kuvendit kanë kritikuar mospjesëmarrjen e deputetëve në seanca, duke e cilësuar mungesën e kuorumit si “sëmundje”.

Mungesa e kuorumit dhe dështimi i seancave plenare në Kosovë po sjell krizë në miratimin e projekligjeve, ku 50 prej tyre mund të kthehen në pikën zero.
Drejtori i organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Arton Demhasaj, u shpreh deputetët më tepër po merren me aktivitete partiake se sa me agjendën e Kuvendit.
“Kjo mendoj që ndodh se jemi në një para fushate, para zgjedhjeve ku shumica e partive politike merren më shumë me aktivitete partiake politike sesa me axhendën e Kuvendit. Kjo normalisht ka pasoja
Sipas tij, deputetët duhet të kryejnë detyrën për të cilën paguhen.
“Prandaj mendoj se partitë politike duhet të tregohen serioze, duhet të marrin pjesë në séance, duhet ti lënë anash aktivitetet partiake dhe politike, që ligjet të votohen pro apo kundër.”
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, theksoi se mungesa e kuorumit është kthyer në një “sëmundje” për institucionin.
“54 projektligje janë në procedurë të shqyrtimit të pranuar në Kuvendin e Kosovës, në mesin e tyre janë edhe iniciativa qytetare. Tani jemi në fundin e mandatit por Kuvendi nuk po arrin të kryejë edhe detyrën e vetë.”
Sipas analistëve shumica e projektligjeve që priten të sjellin reforma në drejtësi, punësim dhe çështje sociale nuk janë sjell në Kuvend për miratim, e disa që janë miratuar janë shpallur në kundërshtim me Kushtetute e Kosovës.
