Zelenski në Vatikan, i kërkon ndihmë Papa Françeskut për lirimin e ukrainasve të kapur nga Rusia
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i kërkoi Papa Françeskut ndihmë për lirimin e ukrainasve të kapur robër nga Rusia, gjatë një takimi në Vatikan.
Në një tur diplomatik në kryeqytetet evropiane, ai po promovon “planin e fitores” për luftën kundër Rusisë dhe kërkon përkrahje ndërkombëtare për të arritur këtë objektiv.
Për këtë ftoi kreun e Vatikanit të marrë pjesë në një konferencë që do të mbahet në Kanada, dedikuar të burgosurve të luftës.
Nga ana tjetër, Selia e shenjte nuk dha detaje të mëtejshme për bisedën, por njoftoi se u diskutua mbi situatën aktuale të luftës dhe mënyrat për t’i dhënë fund asaj.
Kjo vizitë e presidentit ukrainas vjen në një kohë kur konflikti në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet, ndërkohë Kievi kërkon mbështetje më të madhe ushtarake dhe diplomatike nga vendet perëndimore.
Në Berlin, gjatë një takimi me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Zelensky shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e vazhdueshme të Gjermanisë, duke theksuar se ishte thelbësore që kjo mbështetje të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Ai deklaroi se do të prezantonte planin e tij për të fituar luftën, duke shpresuar që konflikti të përfundojë më së largu deri në vitin 2025.
Në anën tjetër, një gjykatë ruse ka urdhëruar arrestimin në mungesë të gazetarit të CNN-it, Nick Paton Ëalsh, për raportimin nga territori ukrainas në rajonin rus të Kurskut, ku janë regjistruar tensione të mëdha pas depërtimit të trupave ukrainase në gusht.
Përmes disa procedurave penale, Moska ka akuzuar disa gazetarë perëndimorë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Ndërkohë, në Ukrainën lindore, forcat ukrainase shkatërruan një depo karburanti të kontrolluar nga Rusia në rajonin e pushtuar të Luhanskut, që thuhet se përdorej për furnizimin e ushtrisë ruse.
Ndërkaq, Rusia ka pretenduar se ka kapur disa fshatra në vijën e frontit në lindje të Ukrainës, duke shënuar përparime në ofensivën e saj.


