SHBA dhe Evropa dënojnë sulmet e Izraelit ndaj paqeruajtësve të OKB-së

htetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane i kërkuan Izraelit të garantojë sigurinë e paqeruajtësve të OKB-së, pasi katër prej tyre u plagosën në sulmet izraelite në Libanin jugor këtë javë.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai po i kërkonte “absolutisht” Izraelit që të ndalonte të qëllonte mbi paqeruajtësit, pas sulmit të dytë ndaj personelit të kësaj force në dy ditë.

”Në një telefonatë me homologun e tij izraelit, shefi i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin theksoi rëndësinë e garantimit të sigurisë të forcës së Kombeve të Bashkuara, e njohur si UNIFIL”, tha Pentagoni.

Pas javësh intensifikimi të sulmeve ndaj grupit militant libanez Hezbollah, Austin i bëri thirrje gjithashtu Izraelit që të “kalojë nga operacionet ushtarake në një rrugë diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur”.

Izraeli u kritikua ashpër edhe në Evropë.

Në një deklaratë të përbashkët, liderët e Italisë, Francës dhe Spanjës shprehën “zemërim” ndaj sulmeve “të pajustifikueshme” të Izraelit ndaj paqeruajtësve dhe kërkuan që atyre “të marrin fund menjëherë”.

Ministria e Jashtme gjermane e quajti atë “të papranueshme”.