Hetime për një ish-punonjës banke, i akuzuar për vjedhje të llogarive të kryeministres Meloni

Kanë filluar hetimet për një ish-punonjës banke, i akuzuar për vjedhje të llogarive të kryeministres italiane, Giorgia Meloni si dhe politikanëve të tjerë të lartë në Itali.

“Gjatë një periudhe prej dy vitesh, burri nga qyteti juglindor i Barit dyshohet se ka kontrolluar llogaritë rrjedhëse të rreth 3 500 klientëve të bankave, përfshirë Melonin dhe disa nga ministrat e saj”, raportoi sot media italiane.

Motivet e burrit raportohet të jenë të paqarta. Qasja e pazakontë në llogari është vërejtur gjatë një auditimi të brendshëm. Dyshimi lindi pasi u zbuluan kontrollet e shpeshta të llogarisë së punonjësit.

Burri u pushua nga puna dhe tani është nën hetim për akses të paautorizuar në sistemet kompjuterike dhe tentativë për të marrë informacion.

Policia kontrolloi shtëpinë e tij dhe sekuestroi telefona inteligjentë dhe pajisje kompjuterike. Dyshohet se burri ka spiunuar edhe deklaratat e kartës së kreditit.

Duke përdorur deklaratat ai mundi të monitoronte dhe rindërtonte edhe lëvizjet e politikanëve. Sipas raportimeve të mediave, ish-punonjësi i bankës mohoi të ketë shkarkuar ndonjë të dhënë.

“Në mesin e llogarive të spiunuara ishin ato të motrës së Melonit, Arianna dhe ish-partnerit të saj Andrea Giambruno”, thanë mediet.

Llogari të tjera të spiunuara ishin ato të presidentit të Senatit italian, ministrit të Mbrojtjes dhe komisionerit të caktuar të BE-së Roberto Fitto, të cilët të gjithë i përkasin partisë së ekstremit të djathtë të Melonit “Fratelli d’Italia”.