Trazirat në protestën kombëtare të opozitës, Gjykata e Tiranës lë në burg Sokol Bushkolajn

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg protestuesin Sokol Bushkolaj, të arrestuar pas protestës kombëtare të opozitës më 7 tetor. Prokuroria kërkoi arrest në burg pasi se protestuesi kishte thyer edhe masën e sigurisë arrest shtëpie, lidhur me një vendim të mëparshëm të gjykatës. 

Lidhur me protestën po ashtu u ndalua nga policia edhe 47-vjeçari, Gentian Tuga për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës" dhe "Shkatërrimi i pronës". Pesë persona të tjerë mes tyre një i mitur janë procedur penalisht për veprat penale "Prishja e rendit dhe qetësisë publike" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik". Gjithashtu u ndoqën penalisht edhe zyrtarët e PD-së, Gazment Bardhi dhe Flamur Noka.

Çfarë ndodhi në tubimin e 7 tetorit? 

Protesta kombëtare e thirrur nga opozita zgjati 2 ore e 30 minuta, ndërsa u shoqërua me tensione dhe kaos. Tubimi ka nisur para Kryeministrisë, ku qytetarët kanë hedhur disa herë molotov drejt godinës dhe fishekzjarre. Gjithashtu ka pasur një përplasje edhe mes efektivëve dhe deputetëve të opozitës, pasi këta të fundit tentuan të çajnë kordonin policor.  Pas kryeministrisë, protestuesit dhe përfaqësuesit e opozitës i janë drejtuar selisë së Partisë Socialiste, ku po ashtu është hedhur molotov. Në një moment ka marrë flakë dhe hyrja e selisë, ndërsa është djegur dhe banderola me foton e Ramës, në hyrje të godinës. Po ashtu nuk kanë munguar edhe përplasjet me efektivët.

Situata më e tensionuar u paraqit në rrugicën ku ndodhet bashkia e Tiranës dhe ministria e Brendshme, ku dhe është hedhur sasia e madhe e molotovit. Policia iu është kundërpërgjigjur qytetarëve me sasi të madhe gazi lotjsellës dhe spraji neutralizues. Si pasojë mbetën të lënduar qytetarë, mes tyre dhe një fëmijë i mitur.  Ndërkohë policia bëri me dije se 10 efektivë po ashtu janë lënduar. Destinacioni tjetër i protestuesve ishte Kuvendi, ku kësaj here protestuesit nuk janë lejuar të afrohen fare pranë perimetrit të parlamentit për shkak të një sasie të madhe të hedhur nga efektivët e policisë. Burgosja e ish-ligjvënësit demokrat ishte dhe një nga motivet kryesore për thirrjen e një proteste kombëtare nga Partia Demokratike.