EMRAT/ Tre grabitje në 2 muajt e fundit, arrestohen dy persona që vidhnin banesat në Lushnje
Dy shtetas që kryenin vjedhje në banesa janë arrestuar në Lushnje.
Në pranga përfunduan shtetasit Lisjen Xhaferi dje Endri Shabani.
Këta shtetas sipas policisë kanë kryer 3 vjedhje në dy muajt e fundit.
Njoftimi i policisë:
Veprimet hetimore të kryera pas kallëzimeve të qytetarëve, identifikojnë dhe çojnë në pranga 2 shtetas që kryenin vjedhje në banesa.
Zbardhen 3 vjedhje të kryera prej tyre, gjatë 2 muajve të fundit. Sekuestrohen sende me vlerë dhe shuma parash të vjedhura në banesa.
Komisariati i Policisë Lushnjë, pas kallëzimeve të marra nga disa qytetarë, se në banesat e tyre ishin vjedhur sende me vlerë dhe para, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, gjatë operacionit "Steal", Komisariati i Policisë Lushnjë arrestoi shtetasit: L. Xh., 30 vjeç, dhe E. Sh., 25 vjeç, të dy banues në fshatin Fiershegan, Lushnjë.
Gjatë dy muajve të fundit, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur sende me vlerë dhe shuma parash në banesa të ndryshme në Lushnjë.
3 nga këto vjedhje janë zbardhur, ndërkohë po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të kryera prej tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
