ANALIZA/ Hoxha: BE me standarde të dyfishta! Kur bëhet fjalë për Serbinë, e trajtojnë me butësi, ndërsa Kosovën ...
Përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës duket se kanë ngecur, kjo pasi palët e interesuara thonë se procesi po pengohet nga Franca dhe Italia, dy përkrahës të mëparshme të aderimit të Kosovës në këto struktura.
Por tashmë ka dalë në skenë dhe Gjermania, ku zyrtarë të lartë kanë paralajmëruar se Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare, nëse vazhdon të ngulë këmbë në ndalesën që zbaton ndaj importit të mallrave nga Serbia, sepse sipas tyre, kjo është në shkelje të parimeve të CEFTA-s.
Lidhur me këto zhvillime, analisti kosovar Ylli Hoxha u shpreh për “Ora News” se pavarësisht se këto janë qëndrime me dy standarde të partnerëve, ajo që mbetet është fakti që në këtë situatë pasojat janë për Kosovën.
“I kam parë me shqetësim këto mesazhe, pasi kur bëhet fjalë për Kosovën, ato vijnë me fortësinë dhe ashpërsinë maksimale nga Brukseli.
Dhe kur bëhet fjalë për Serbinë, këto mesazhe vijnë me butësinë e papërshkrueshme. Pra, përdorin standarde të dyfishta karshi oponencave që bëhen.
Kjo është për të ardhur keq, por sidoqoftë, ky është fakti me të cilën ballafaqohemi dhe kjo është situata të cilën një shtet dhe një diplomaci duhet ta trajtojë.
Pra, është e qartë që në këto dy vite Serbia është shndërruar në një prioritet gjeo-strategjik i Perëndimit dhe ne si Kosovë, sado që kemi të drejtë, vuajmë një trajtim të pabarabartë qoftë të dialogut, qoftë dhe tani në procesin e integrimit evropian”, u shpreh ndër të tjera Ylli Hoxha.


