1 vit nga terrori serb/ Gazetari rrëfen përjetimet nga Banjska: U njoftuam në 4 të mëngjesit, pas luftës kjo ishte ngjarja më e rëndë
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Një vit më pas gazetari Venhar Isufi komentoi situatën e re të krijuar në veri të vendit, por edhe në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.
“Normalisht ishte një raportim i veçantë pasi dhe vetë situata ishte e veçantë, pasi bëhej fjalë për një sulm terrorist nga një grup para-ushtarak të drejtuar nga Radoiçiçi dhe që i gjithë planifikimi i tyre kishte nisur që në datën 23 shtator, ndërsa ne si gazetarë e kemi marrë informacionin në 4 të mëngjesit të datës 24.
Kur kemi shkuar kishin nisur të shtënat me armë dhe sapo jemi informuar që një polic ishte vrarë ne jemi nisur me urgjencë drejt Banjskës.
Dhe kur kemi arritur aty rreth orës 7 e gjysëm të mëngjesit, e gjithë zona ishte e rrethuar dhe neve si gazetarë na bëhej thirrje e vazhdueshme që të mos kalonim perimetrin e sigurisë.
Ishte një ditë shumë e gjatë dhe shumë e ngarkuar, ku ne kemi raportuar jo vetëm për mediat tona, por edhe për mediat tuaja, pasi ngjarja shkaktoi interesim të madh. Pas luftës së Kosovës, kjo ngjarje na ka befasuar të gjithëve", tha mes te tjerash gazetari Venhar Isufi.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË


