NJU JORK – Ministri i Libanit në OKB: Detyroni Izraelin të ndalojë agresionin e tij
Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bou Habib paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për një “shpërthim të madh” të afërt mes sulmeve të përsëritura midis Izraelit dhe milicisë së Hezbollahut në Liban.
“Ose ky këshill e detyron Izraelin të ndalojë agresionin e tij … ose ne do të jemi dëshmitarë të heshtur të shpërthimit të madh që po shfaqet në horizont sot,” tha Bou Habib.
“Para se të jetë tepër vonë, duhet të kuptoni se ky shpërthim nuk do të kursejë as Lindjen, as Perëndimin dhe do të na kthejë në epokat e errëta”, shtoi ai.
Bou Habib akuzoi Izraelin se qëndron pas shpërthimeve të koordinuara anembanë Libanit që në fillim të javës.
Të paktën 37 njerëz vdiqën në Liban dhe 3 000 u plagosën pasi qindra pagera të përdorura nga anëtarët e Hezbollahut shpërthyen. Mes viktimave kishte edhe civilë.
Izraeli ende nuk e ka pranuar publikisht përgjegjësinë për sulmet.
”Është e qartë se Izraeli nuk po respekton të drejtën ndërkombëtare dhe humanitare”, tha Bou Habib në Nju Jork.

