Gazetari Altin Sulçe laurohet me çmimin Ambasador i Paqes

Në ditën ndërkombëtare të paqes, gazetari i mirënjohur sportiv Altin Sulçe, është vlerësuar me titullin Ambasador i Paqes, nga Federata Universale e Paqes.

Me një eksperiencë prej rreth 3 dekadash në media, autori dhe moderatori i disa programeve sportive në televizionet shqiptare, u laurua me këtë çmim prestigjoz, për kontributin e dhënë.

Disa nga emisionet më të dashura për publikun mbeten “Sport Vip”, “Jashtë Fushe”, “Sport Magazine” dhe “Ora Sport”.

Altin Sulçe, gjatë karrierës së tij të gjatë në media, ka punuar në gazetë, televizion dhe Radio.

Disa nga mediat ku ai ka dhënë kontributin e tij janë: Sport Ekspres, ERT3, Albania Mail, RTSH, News 24, Ora News, Radio Sport dhe Radio Tirana.

Çmimi iu dorëzua nga gazetari dhe pedagogu Lutfi Dervishi, i cili vlerësoi punën e kolegut të tij duke thënë:

“Sot, gazetarët më të mirë, më të vërtet, ata që nuk gënjejnë kurrë janë gazetarët sportiv. Sulçe ka moderuar disa emisione, por më së shumti unë e kam ndjekur në ngjarje të mëdha.

Në eventet e mëdha duken gazetarët e mirë. Aty Altini ka ditur të shkrihet me masën e njerëzve duke sjelle një produkt shumë interesant për shikuesin”, tha Dervishi.