Mbetje njerëzore në Notre-Dame gjenden pas rreth 450 vjetësh. Hipoteza për mbetje kockore të poetit De Bellay
Zjarri që shkatërroi Katedralen Notre-Dame de Paris, nxori në pah gjetje të shumta mijëra vjeçare për arkeologët. Në restaurim e sipër, u zbuluan mbetjet kockore të dy personave. Njëri i identifikuar në atë kohë si një klerik i katedrales, ndërsa së fundmi po përflitet se trupi tjetër i përket poetit të famshëm francez Joachim du Bellay.
Që nga zjarri shkatërrues që shpërtheu në Katedralen Notre-Dame në Paris, më 15 prill të 2019, një projekt i madh restaurimi po vijon ende.
Përveç rindërtimit, arkeologët kanë eksploruar vendin, duke zbuluar gjetje të lashta mijëra vjeçare.
Në vitin 2022, arkeologët zbuluan dy sarkofagë plumbi nën kryqëzimin e tërthortë të katedrales.

Sarkofagët ishin kontejnerë që përdoreshin për të mbajtur një arkivol. Ato ishin të rezervuara për varrosjen e individëve dhe udhëheqësve të pasur.
Një nga mbetjet kockore u identifikua shpejt si Antoine de La Porte, një klerik i katedrales që vdiq në 1710.
Mbetjet kockore të personit tjetër, mbetën të panjohura në atë kohë, por së fundmi janë hedhur hipotezat se është poeti i famshëm francez, Joachim du Bellay, i cili vdiq në vitin 1560. Du Bellay besohej se ishte varrosur në katedrale pranë xhaxhait të tij me kërkesë të familjes së tij, por varri nuk u gjet kurrë.

Éric Crubézy, profesor i antropologjisë biologjike në Universitetin e Toulouse 3 dhe drejtor kërkimi, sëbashku me ekipin e tij parashtruan hipotezën bazuar në prova të një autopsie e cila zbuloi se individi vuante nga tuberkulozi i kockave dhe meningjiti kronik, gjë që ishte e rrallë në atë kohë por përputhet me historinë mjekësore të du Bellay.
Për më tepër, struktura e femurit të burrit ishte në përputhje me dikë që kalonte shumë kohë duke kalëruar. Ky detaj, përsëri, është në përputhje me jetën e du Bellay.

Edhe pse ka prova për të mbështetur hipotezën, ka ende studiues që kanë dyshimet e tyre.


