Lufthansa pezullon fluturimet për shkak të sigurisë në Lindjen e Mesme

Linjat ajrore që i përkasin Grupit Lufthansa dhe Air France kanë pezulluar fluturimet drejt Izraelit për arsye sigurie, njoftuan kompanitë.

Të paktën nëntë persona u vranë dhe rreth 3 000 u plagosën në shpërthimet e supozuara të koordinuara të pajisjeve portative të telekomunikacionit në Liban të martën në mbrëmje.

”Linjat ajrore që i përkasin Grupit Lufthansa kanë pezulluar të gjitha lidhjet me dhe nga Tel Aviv dhe kryeqyteti iranian Teheran deri të paktën të enjten”, tha kompania.

“Gjatë kësaj periudhe, hapësira ajrore izraelite dhe iraniane do të anashkalohet gjithashtu nga të gjitha linjat ajrore të Grupit Lufthansa”, thuhet në një deklaratë.

Grupi Lufthansa vazhdon të monitorojë nga afër situatën dhe do ta vlerësojë atë më tej në ditët në vijim. Pasagjerët do të jenë në gjendje të rezervojnë falas ose të marrin një rimbursim të plotë.

“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar pasagjerëve tanë. Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazheve tanë është gjithmonë prioriteti ynë kryesor”, thekson kompania.

Linjat ajrore të Grupit Lufthansa përfshijnë Swiss, Austrian, Brussels Airlines dhe Eurowings si dhe linjën ajrore kombëtare gjermane Lufthansa.