VIDEO/ Shkatërrohet grupi kriminal, zbërthehet aplikacioni "GHOST", dhjetëra arrestime për trafikim droge në Australi, Europë dhe në Lindjen e Mesme

Policia australiane ka njoftuar se depërtuar në aplikacionin 'Ghost', një program i koduar komunikimi global i ndërtuar për grupet kriminele, duke çuar në qindra arrestime nga Australia, Lindja e Mesme dhe Europë për trafikim droge.  Sipas mediave të huaja, telefonat inteligjentë të modifikuar u shitën për 2,350 dollarë australianë (1,590 dollarë) që përfshinte një abonim gjashtë-mujor në 'Ghost' dhe mbështetje teknike.

Administratori i dyshuar i aplikacionit, Jay Je Yoon Jung, 32-vjeç, u paraqit në një gjykatë të Sidneit të mërkurën me akuza që përfshinin mbështetjen e një organizate kriminale dhe përfitimin nga të ardhurat e krimit.  Ndërkohë, 38 të dyshuar u arrestuan vetëm në Australi në ditët e fundit, teksa agjencitë e zbatimit të ligjit po bënin arrestime edhe në Kanada, Suedi, Irlandë dhe Itali, tha zëvendëskomisioneri i Policisë Federale Australiane, Ian McCartney.

“Ne pretendojmë se qindra kriminelë, duke përfshirë krimin e organizuar italian, anëtarë të bandave të motoçikletave, krimin e organizuar të Lindjes së Mesme dhe krimin e organizuar korean kanë përdorur Ghost në Australi dhe jashtë shtetit për të importuar drogë të paligjshme dhe për të urdhëruar vrasje”, u tha McCartney gazetarëve.