Tabaku: PD, gjithmonë dakordësi për procesin e integrimit europian
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar procedurat e ndjekura në Kuvend lidhur me udhërrëfyesin për çështjen e integrimit europian.
Ajo theksoi se, ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë kaluar sipas Ligjit të “Rolit të Kuvendit”, duke anashkaluar Komisionin e Çështjeve Europiane. Tabaku nënvizoi se, sipas ligjit, çdo ndryshim në procesin e integrimit duhet të kalojë fillimisht në Komisionin e Çështjeve Europiane dhe më pas të diskutohet në Kuvend.
“Gjendur përballë kësaj shkeljeje, unë do ta ngre çështjen edhe më tej”, deklaroi ajo gjatë debatit duke premtuar angazhim të faktorit ndërkombëtar.
Deputetja kujtoi se, Partia Demokratike ka treguar gjithmonë dakordësi për procesin e integrimit europian, madje edhe në momente kur situata politike në Kuvend ka qenë e tensionuar.
“Kemi dëshmuar maturi në debatin politik dhe kemi qenë të gatshëm të negociojmë në situata të vështira”, shtoi Tabaku. Pas debatit, u vendos që udhërrëfyesi i ri për integrimin europian të kalojë për shqyrtim në Komisionin e Çështjeve Europiane.
