Pezeshkian: Izraeli po përpiqet ta tërheqë Iranin në një luftë rajonale

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian akuzoi Izraelin për përpjekje për të tërhequr vendin e tij në një luftë rajonale, ndërsa vuri në dukje vrasjen e një anëtari kryesor të lëvizjes islamike palestineze Hamas, Ismail Haniyeh, në Teheran më shumë se gjashtë javë më parë.

“Izraeli po përpiqet të na ngatërrojë në një luftë rajonale me vrasjen e Haniyeh. Ne kemi të drejtën të mbrohemi”, tha sot presidenti i ri iranian gjatë konferencës së tij të parë për shtyp.

Haniyeh, zyrtarisht kryetar i Byrosë Politike të Hamasit, u vra në Teheran më 31 korrik. Izraeli as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar rolin e tij në vdekjen e Haniyeh.

Pezeshkian përsëriti gjithashtu se Irani nuk po kërkon armë bërthamore duke mbrojtur gjithashtu programin raketor të vendit të tij.

“Nëse nuk kemi raketa, Izraeli mund të na bombardojnë në çdo kohë, ashtu si Gazën. Ne nuk do të heqim dorë nga aftësitë tona mbrojtëse”, tha ai.

“Një nga synimet e politikës së jashtme të qeverisë sonë është afrimi me Perëndimin”, tha ai.

I pyetur nga një gazetar nëse do të takohet me presidentin e ri të SHBA-së pas zgjedhjeve të nëntorit, Pezeshkian tha se “një takim i drejtpërdrejtë kërkon mbajtjen e premtimeve”.

“Ata nuk duhet të vendosin sanksione dhe të na kërcënojnë, atëherë edhe ne do të jemi vëllazëror me ta”, shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli janë konsideruar armiqtë kryesorë të Teheranit që nga revolucioni islamik i vitit 1979.

Frika është rritur se një luftë më e gjerë mund të shpërthejë në Lindjen e Mesme që pas sulmit të Hamasit në Izrael – në tetor të vitit të kaluar dhe lufta pasuese në Gazë.

Teherani mbështet grupet armiqësore ndaj Izraelit, duke përfshirë Hamasin dhe milicinë shiite libaneze Hezbollah. Pezeshkian u zgjodh president në korrik pas vdekjes aksidentale të paraardhësit të tij Ebrahim Raisi.

Gjatë fushatës zgjedhore, Pezeshkian, i parë si një konservator i moderuar, premtoi reforma duke përfshirë të drejtat civile.

Megjithatë, deri më tani qeveria e tij nuk ka prezantuar politika shumë të ndryshme, dhe në Iran, pushtetin kryesor e mban udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei.