Moska: Kundërpërgjigje ndaj sanksioneve amerikane për RT
Ministria e Jashtme ruse ka kritikuar ashpër sanksionet amerikane të vendosura ndaj kanalit televiziv shtetëror rus RT, me zëdhënësen Maria Zakharova që kërcënoi sot me kundërmasa.
Vëzhguesit e shohin këtë si një paralajmërim për gazetarët amerikanë që ende punojnë në Rusi. Në mars të vitit 2023, Rusia arrestoi reporterin amerikan Evan Gershkovich me akuzën për spiunazh të dyshuar.
Korrespondenti i ”Wall Street Journal” u burgos për 16 muaj përpara se të lirohej muajin e kaluar si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.
Gershkovich dhe gazeta i kanë mohuar gjithmonë akuzat. Zakharova akuzoi SHBA-në për censurë dhe sulm ndaj lirisë së shtypit.
”Lëvizja kundër grupit RT ishte një tjetër valë kufizimesh kundër medias dhe gazetarëve rusë”, tha ajo duke u ankuar se Uashingtoni donte të mbyllte mediet e njohura ruse për të parandaluar përhapjen e pikëpamjeve alternative.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi të premten RT-në se kërkon të “përzihet në punët sovrane të vendeve anembanë botës”.
”RT posedon aftësi kibernetike dhe është i angazhuar në informacione të fshehta dhe influencuar operacione dhe prokurime ushtarake”, shtoi ai.
