LËVIZJE NË BOTËN E MODËS/ Sarah Burton, drejtoresha e re kreative e “Givenchy”

Dizajnerja britanike e modës Sarah Burton, e njohur për krijimin e fustanit të nusërisë së Princeshës Catherine, është drejtoresha e re krijuese e Givenchy. Prej një viti botae modës priste lëvizjen e saj, pas largimit nga marka Alexander McQueen, ku dha kontributin e saj për më shumë se 10 vjet

Ka kaluar thuajse një vit nga koha kur dizajnerja e njohur Sarah Burton njoftoi se do të largohej nga roli i saj si drejtoreshë kreative e Alexander McQueen dhe që atëherë, bota e modës ka spekuluar se cila do të ishte lëvizja e saj e ardhshme.

Thashethemet kanë marrë fund pasi Givenchy ka njoftuar këtë të hënë se ajo i bashkohet markës luksoze franceze si drejtoreshë kreative.

50 vjecarja britanike u bë më së shumti e njohur si krijuesja e fustanit të nusërisë së princeshës Catherine, teksa për më shumë se një dekadë ka punuar në McQueen, pas vetëvrasjes së themeluesit të shtëpisë së modës.

Aty ka dizajnuar rroba për një mori yjesh botërorë duke përfshirë aktoren Cate Blanchett dhe këngëtaren Lady Gaga. Burton u përfshi gjithashtu në listën e revistës amerikane Time të "100 njerëzve më me ndikim në botë" në vitin 2012.

Në një deklaratë, dizajnerja tha se ishte entuziaste për punën e re dhe do të sillte vizionin dhe bindjet e saj në Givenchy, ku do të jetë përgjegjëse për të gjitha koleksionet e grave dhe burrave.

Shfaqja e parë është planifikuar për në mars të vitit të ardhshëm, sipas njoftimit të markës. Puna e drejtorit kreativ ishte bosh që nga janari pas largimit të amerikanit Matthew William, i cili donte të fokusohej në markën e tij të veshjeve.