8 vite nga Shenjtërimi, Pashkja: Figura e Nënë Terezës, figurë shekullore, imazh i mbarë Kishës Katolike...
Sot është Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, e shpallur në nder të Nënë Terezës, si dhe me qëllimin për të sensibilizuar dhe mobilizuar njerëzit, OJQ-të dhe palët e interesuara në mbarë botën për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.
Data e 5 shtatorit u zgjodh për të përkujtuar përvjetorin e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës së Kalkutës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979 “për punën e ndërmarrë në luftën për të kapërcyer varfërinë dhe vuajtjet, të cilat gjithashtu përbëjnë një kërcënim për paqe.”
I ftuar ditën e sotme, në studion e lajmeve të "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Skype", ishte zëdhënësi i kishës katolike, Dom Mark Pashkja, për të folur për shenjtërimin e Nënë Terezës.
"Figura e Nënë Terezës, ishte një nga figurat qendrore të vitit të kaluar, bashkë me Papa Gjon Palin 2 dhe në një farë mënyre ishin të dy që në kontekste të ndryshme, u bënë imazhi jo vetëm i vendit nga vinin, por i mbarë kishës Katolike.
Frymëzimi dhe inspirimi i Nënë Terezës për të bërë atë që realizoi në jetën e vetë lind brenda Kishës dhe brenda të qenurit një motër katolike. Nuk mund të shpjegohet në logjikën njerëzore përveçse një frymëzim hyjnor, i cili në një farë mënyre jep atë rezultat.
Marrëdhënia e Nënë Terezës me zotin ishte intensive, dhe në këtë marrëdhënie personale intime me zotin gjeti dhe i dha kuptim misionit të saj", tha Pashkja.
