Edhe ”Human Rights Watch” i kërkon Mongolisë të arrestojë Putinin gjatë vizitës së tij

”Human Rights Watch” i ka bërë thirrje Mongolisë ose t’ia mohojë hyrjen presidentit rus Vladimir Putin ose ta arrestojë atë, sipas një deklarate të Maria Elena Vignolit, nga njësia globale e drejtësisë e organizatës joqeveritare.

”Putin shkon nesër atje me ftesë të presidentit mongol, Ukhnaagiin Khurelsukh për të forcuar bashkëpunimin midis dy kombeve”, sipas një deklarate të Kremlinit, pavarësisht një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare që pretendon për krime lufte në Ukrainë.

Mongolia njeh Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe do të detyrohej të arrestonte Putinin gjatë qëndrimit të tij në Ulanbator.

”Megjithatë, Moska nuk është e shqetësuar, duke mos parë asnjë rrezik për Putinin për shkak të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Është udhëtimi i parë i Putinit që nga fillimi i luftës së tij kundër Ukrainës në një vend që është anëtar i gjykatës në Hagë. Mongolia po përpiqet të mbajë marrëdhënie të balancuara me fqinjët e saj të fuqishëm Kinën dhe Rusinë si dhe me Perëndimin.

Duke qenë se Mongolia është gjithashtu e varur nga Rusia, konsiderohet e pamundur që vendi të rrezikojë marrëdhëniet e tij duke arrestuar Putinin.

Edhe Ukraina i ka bërë thirrje Mongolisë që të arrestojë presidentin rus Vladimir Putin kur ai të vizitojë vendin aziatik.

“Pala ukrainase shpreson që qeveria e Mongolisë është e vetëdijshme për faktin se Vladimir Putin është një kriminel lufte”, theksoi Ministria e Jashtme e Ukrainës.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve mongole që të ekzekutojnë urdhërarrestin detyrues ndërkombëtar”, shtoi Kievi zyrtar.