DETAJET E REJA/ Korrupsioni në INUV-in Elbasan, Gentian Bako u arrestua nga SPAK, kush janë dy zyrtarët që bashkëpunoi

Prokuroria e Posaçme SPAK ka arrestuar për akuzën e korrupsionit një person të tretë lidhur me rastin e abuzimit nga punonjësit e INUV Elbasan me një rast të prishjes së një banese në këtë qytet.

Çështja fillimisht është hapur nga prokuroria e Elbasanit ku u proceduan me masën e sigurisë “arrest në burg” kryeinspektori i INUV, Andri Mehja dhe inspektorit Bardhyl Qehja, tashmë një i tretë ka rënë në pranga.

Bëhet fjalë për Gentian Bakon, një personazh ky i verifikuar nga policia në disa ngjarje të rënda kriminale në Elbasan.

Bako ka dalë nga hetimi i SPAK, se ka bashkëpunuar me dy personat e tjerë të mësipërm për marrjen ryshfetit nga një qytetar, me synim mos i prishnin shtëpinë.

Nisur nga këto rrethana prokurori i çështjes Elvin Gokaj, në datën 29 Gusht 2024 ka kërkuar menjëherë arrestimin e Gentian Bakos.

Arrestimi i tij është bërë në qytetin e Elbasanit, ndërsa më pas është transferuar në Tiranë, ku pritet që këtë javë të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.