Tentativa e për*dhunimit të së miturës në Maliq, reagon ashpër Xhixho: Ulsi Manja urgjent në Kuvend dhe të përgjigjet se pse nuk është funksional regjistri i pedofilëve
Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho duke iu referuar ngjarjes së rëndë në Maliq ku një i moshur tentoi të përdhunonte një vajzë të mitur rikthen në vëmendje se rastet e abuzimeve seksuale me të mitur vijojnë dhe ende Regjistri Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale nuk është funksional për turpin e kësaj qeverie.
“Është urgjente një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve dhe interpelancë me Ministrin e Drejtësisë. Koha për llogaridhënie nga një qeveri e papërgjegjshme që nuk vë në funksion ligje jetike për mbrojtjen e fëmijëve tanë.
Përdhunimi i një fëmije vetëm 9 vjeç u parandalua në Maliq, falë një vajze që u gjet rastësisht dëshmitare e një skene pedofilie.
Rasti i vogëlushes 9-vjeçare është alarmi i radhës për rrezikun që fshihet edhe në mjediset më të sigurta në dukje.
Por qindra fëmijë si ajo nuk kanë qenë kaq me fat. Abuzimi seksual i fëmijëve ka ndodhur edhe në familje, edhe në shkolla, nga njerëzit e afërt apo nga ata që cilëve prindërit u kanë besuar sigurinë dhe edukimin e tyre.
Prej korrikut të vitit 2022, Parlamenti ka miratuar unanimisht ligjin për Regjistrin e Të Dënuarve për Krime Seksuale si një mekanizëm parandalues ndaj grabitqarëve seksualë, ku do t’i jepet akses çdo qytetari.
Edhe pse u miratua pas 1 viti nga propozimi, edhe pse kishte 10 vite që flinte në sirtaret e Kuvendit, sot ky regjistër nuk është ende funksional për turpin tuaj të kësaj qeverie.
Pavarësisht se regjistri duhej të ishte gati jo më shumë se gjashtë muaj pas hyrjes së ligjit në fuqi, ai nuk është ende i aksesueshëm nga qytetarët.
Rasti i Maliqit është kambana e radhës e alarmit. Regjistri duhet të bëhet efektiv në mënyrë urgjente para nisjes së vitit të ri shkollor!
Si nënë dhe si deputete iniciuese e këtij ligji shumë të rëndësishëm do të kërkoj urgjent seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve dhe interpelancë me Ministrin e Drejtësisë duke kërkuar llogari deri më një.
Siguria e fëmijëve tanë është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Nuk mund t’i lëmë ata në duart e monstrave të tilla, në një vend ku institucionet që duhet t’i mbrojnë nuk bëjnë detyrën që u ka ngarkuar ligji”, shprehet ligjvënësja e PL-së, Erisa Xhixho.


