SHBA, bashkëpunim me organet ligjzbatuese shqiptare për shtetin e së drejtës
Një delegacion përfaqësues i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të Shqipërisë ndodhet në Uashington, DC për konferencën e trajnimit të Shoqatës Kombëtare të Hetuesve të Çështjeve të Brendshme për vitin 2024, bëri të ditur sot ambasada e SHBA në Tiranë.
Duke iu bashkuar më shumë se 300 profesionistëve të zbatimit të ligjit nga e gjithë bota, ata morën pjesë në trajnime mbi marrjen në pyetje dhe intervistimin, paragjykimet në ankesat policore, hetimet mbi përdorimin e forcës dhe më shumë.
Delegacioni gjithashtu vizitoi Qendrën Kombëtare të SHBA-së dhe Muzeun Kombëtar të Zbatimit të Ligjit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara thekson se, është krenare që bashkëpunon me organet ligjzbatuese shqiptare për të çuar përpara shtetin e së drejtës në rrugën drejt integrimit në BE.
