Ekipet negociuese mblidhen në Kajro për më shumë bisedime për luftën në Gazë

Delegacione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë mbërritur sot në Egjipt për bisedime të mëtejshme – për t’i dhënë fund luftës në Gazë, sipas burimeve.

Vizita është planifikuar të zgjasë disa orë. Portali izraelit i lajmeve Ynet raportoi se kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme izraelite Mossad, David Barnea dhe kreu i shërbimit të brendshëm të inteligjencës Shin Bet, Ronen Bar, kishin mbërritur në Kajro për bisedime.

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në negociatat aktuale për një armëpushim në luftën e Gazës është kërkesa e Izraelit që forcat e tij të sigurisë të lejohen të kontrollojnë përgjithmonë kufirin jugor midis Gazës dhe Egjiptit, i njohur gjithashtu si Korridori i Filadelfit.

Si Egjipti ashtu edhe Hamasi e kanë refuzuar këtë kërkesë.

Ushtria izraelite ka thënë se një numër i tuneleve të Hamasit kalojnë nën korridor dhe se po insiston për kontrolle – për të parandaluar kontrabandën e armëve.

“Wall Street Journal”, duke cituar burime egjiptiane, raportoi për propozimet e reja izraelite për kontrollin e Korridorit të Filadelfit. Sipas raportit, negociatorët izraelitë kanë propozuar ngritjen e tetë kullave të vëzhgimit atje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se kanë paraqitur një kundërpropozim të dy kullave, sipas informacioneve.

Egjipti i hodhi poshtë të dy propozimet me arsyetimin se këto kulla do t’i jepnin ushtrisë izraelite akses të përhershëm në zonë.

Egjipti, Katari dhe SHBA-ja po ndërmjetësojnë në negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit, të cilat po vazhdojnë prej disa muajsh. Hamasi dhe Izraeli nuk po negociojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.