BE aktivizon mekanizmin e mbrojtjes civile në Madeira
Komisioni Evropian njoftoi se po dërgonte dy aeroplanë zjarrfikës në ishullin Madeira – për të ndihmuar Portugalinë të luftojë zjarret që kanë shkatërruar rreth 5,500 hektarë tokë – deri më tani.
Mbështetja ofrohet përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, i cili u përgjigjet fatkeqësive të tilla.
Në një konferencë per shtyp në Bruksel, një zëdhënës i komisionit tha se dy avionë nga rezerva strategjike e Bashkimit Evropian në Spanjë do të ndërhyjnë për të ndihmuar në luftimin e zjarreve në Madeira.
“Portugalia i kërkoi komisionit ndihmë dje në mbrëmje”, tha zëdhënësi.
“Komisioni gjithashtu u siguron autoriteteve portugeze imazhe satelitore nga programi i BE-së për vëzhgimin e Tokës Copernicus”, shtoi ai.
Sipas transmetuesit shtetëror RTP, dy avionët bombardues të Forcave Ajrore Spanjolle mbërritën sot pasdite dhe i janë bashkuar operacioneve të shuarjes së zjarrit.
Zjarri ka shpërthyer në qendër të ishullit që nga java e kaluar. Mbrojtja civile tha se 125 zjarrfikës dhe personeli i mbrojtjes civile janë duke luftuar zjarrin.
Puna për shuarjen e zjarrit është vështirësuar nga erërat e forta dhe temperaturat e larta. Sipas zyrtarëve, tre fronte zjarri ishin aktive kohët e fundit, duke u përhapur përgjatë një vargu malor që është i vështirë për t’u aksesuar.
Qëllimi kryesor i shërbimeve të urgjencës është të parandalojnë zjarrin që të arrijë në pyllin e dafinës, i cili është shpallur një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe një hidrocentral në zonën e Pico Ruivo.
Presidenti rajonal Miguel Albuquerque hodhi poshtë pretendimet e ambientalistëve se flakët tashmë kishin përfshirë pyllin e dafinave.
“Zjarri nuk kishte arritur në zonën e mbrojtur”, siguroi ai.
Rreth 200 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Deri më tani nuk janë raportuar të plagosur apo dëme në ndërtesa.


