Sulm me armë në SHBA gjatë tubimit/ Një i vdekur dhe 7 të tjerë kanë mbetur të plagosur në Baltimore

Një person ka humbur jetën dhe 7 të tjerë kanë mbetur të plagosur në Baltimore të SHBA, nga të shtënat me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur gjatë një tubimi, ndërkohë përdorimi i armëve vijon të jetë një problem i gjerë në Amerikë

Një tubim në Baltimore të SHBA u kthye në kaos, pasi shpërthyen të shtëna me armë zjarri.

Një person humbi jetën dhe të paktën 7 të tjerë mbetën të plagosur, në ngjarjen që ndodhi të dielën mbrëma.

Autoritetet deklaruan se viktima ishte 36 vjeç, ndërsa nuk dhanë detaje për agresorët apo shkaqet e mundshme. Të plagosurit janë mes 22 dhe 46 vjeç.

“Shteti po përballet me ndikimet e të shtënave masive”, theksohet në njoftimin e policisë, ku shtohet se armët e zjarrit që u përdorën në sulm janë gjetur në vendngjarje dhe janë dërguar për hetim.

Të shtënat masive dhe përdorimi i armëve janë një problem gjerësisht i diskutuar në SHBA, që kanë ardhur duke u rritur kohët e fundit.

Deri më tani këtë vit, ka pasur më shumë se 350 të shtëna masive në të gjithë Amerikën, duke lënë 350 të vdekur dhe më shumë se 1 mijë e 500 të plagosur, sipas Arkivit të Dhunës me Armë.

Në këto të dhëna përfshihen vetëm ngjarjet ku janë plagosur katër ose më shumë njerëz, duke mos përfshirë sulmuesin.

Në rastin e fundit, kryebashkiaku i Baltimores, Brandon Scott deklaroi se këto akte tragjike janë të mundshme vetëm për shkak të lehtësisë së vazhdueshme të aksesit të armëve në rrugët tona.

“Ne nuk mund ta pranojmë këtë tragjedi pa pranuar rolin që luan përhapja e armëve në rrezikimin e komuniteteve tona”, shtoi ai.