Blinken: Bisedimet aktuale shansi i fundit për një armëpushim në Gaza

Bisedimet aktuale mund të jenë shansi i fundit për një armëpushim në Gaza, deklaroi në Izrael sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

”Ky është një moment përcaktues, ndoshta më i miri, ndoshta i fundit, mundësia për të sjellë pengjet në shtëpi, për të arritur një armëpushim dhe për të vendosur të gjithë në rrugën më të mirë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”, tha Blinken gjatë takimit me presidentin izraelit, Isaac Herzog.

Sekretari amerikan më pas i kërkoi Hamasit dhe Izraelit të mos prishnin përpjekjet për një armëpushim.

Ardhja në Izrael e Blinken për të promovuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe kthimi i pengjeve sjell me vete dy mesazhe mes rreshtave: prania e tij në Lindjen e Mesme është e mundur, pas ditësh shtyrjesh, sepse momentalisht Irani dhe Hezbollahu po e mbajnë ”të ftohtë” hakmarrjen kundër Izraelit.

Tjetra ka të bëjë drejtpërdrejt me Benyamin Netanyahun, mbi të cilin do të bëhet presion i jashtëzakonshëm që aksionet e tij të mos pengojnë “shansin e fundit për marrëveshjen me Hamasin”.

Kryeministri izraelit e di shumë mirë se çfarë do t’i kërkohet dhe, siç është stili i tij, hoqi fajin nga vetja me deklaratat e djeshme, kur tha se ”ka gjëra për të cilat mund të jemi fleksibël dhe të tjera për të cilat nuk mund të jemi” dhe ”’nga ana tjetër ekziston një organizatë terroriste e pafre dhe kokëfortë dhe jo në qeverinë izraelite”.