Hamasi refuzon propozimin e bërë në Doha: Jo kushteve të reja të vendosura nga Netanyahu
Hamasi ka lëshuar një deklaratë zyrtare duke refuzuar propozimin e fundit të ndërmjetësimit të pengjeve të diskutuar në Doha të Katarit dhe duke akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se ka vendosur pengesa për bisedimet dhe kushte të reja.
Sipas Times of Israel, në deklaratë thuhet se propozimi i fundit i mbështetur nga SHBA është në përputhje me kërkesat e Izraelit, pasi kërkon që ushtria izraelite të qëndrojë në korridorin e Filadelfias, kalimin Rafah dhe korridorin Netzarim.
Grupi akuzon gjithashtu Netanyahun se ka vendosur kushte të reja për lirimin e të burgosurve.
“Ne e bëjmë Netanyahun plotësisht përgjegjës për pengimin e një marrëveshjeje”, thotë Hamasi, duke shtuar se kryeministri është përgjegjës për jetën e pengjeve.
Së fundi, Hamasi nënvizon se do të vazhdojë të mbështesë propozimin e 2 korrikut.
