Shpërthen në flakë kabina e lojërave në Gjermani, 30 të lënduar, mes tyre disa policë

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Gjermani, pasi dy kabina të rrotës Ferris në parkun e lojërave shpërthyen në flakë. Ngjarja ndodhi në Festivalin Highfield pranë Leipzigut në Gjermani, duke lënduar të paktën 30 persona.

Nuk dihet ende shkaku i zjarrit. Sipas mediave vendase, katër persona kanë pësuar djegie të rënda, disa janë plagosur duke u hedhur nga një lartësi e madhe, në tentativë për t’i ikur rrotës që digjej, ndërsa shumë të tjerë patën probleme me frymëmarrjen.

“Të lënduarit po marrin trajtim dhe janë mirë duke marrë parasysh rrethanat”, thanë zyrtarët e Highfield Festival në një deklaratë.

Dy kabinat që morën flakë u dogjën plotësisht dhe një zëdhënës i zjarrfikësve tha se situata tani ishte nën kontroll. Mediat raportojnë se mes plagosurve janë edhe katër policë.

Reperi gjerman Ski Aggu, i cili po performonte kur shpërtheu zjarri, shkroi në “Instagram” se ishte i “zhgënjyer dhe i tronditur” nga ajo që ndodhi.

Rreth një orë pas shpërthimit të zjarrit dhe pasi zjarrfikësja e shoi zjarrin, organizatorët e festivalit njoftuan se rrota e Ferrisit do të mbetej e mbyllur dhe do të rinisnin shfaqjet në skenë.