Shkodra, e preferuara e të huajve/ Parku arkeologjik, pikë turistike për vizitorë nga e gjithë bota
Një nga vendet turistike në Shqipëri të vizitorëve të huaj është Parku Arkeologjik i Shkodrës. Turistë nga Italia, Franca apo edhe Hong Kongu shprehen se Shqipëria është një vend i cili lë mbresa
Parku Arkeologjik i Shkodrës ka tërhequr vëmendjen e turistëve të shumtë nga e gjithë bota.
Ky park është cilësuar si një nga vendet më të vizituara gjatë 7 muajve të parë të këtij viti, ndërsa vizitorët e huaj treguan se Kalaja e Rozafës I la më së tepërmi mbresa.
“Jam nga Italia, Trieste. Është hera e parë në Shqipëri. Jam vërtet shumë e impresionuar. Është vërtet kala e bukur, në një pozicion të mirë. E shijova muzeun, me gjetjet që ka brenda”, u shpreh një prej turisteve.
Të tjerë shprehen se historia e Shqipërisë është ajo ç’ka I ka shtyrë që të vizitonin vendin tonë.
“Edhe për mua është hera e parë në Shqipëri dhe në Shkodër. Është shume bukur. Është eksperiencë e re. Jam e lumtur që jam këtu. Mendoj se historia është e rëndësishme në Shqipëri”, tha një nga turistët.
Shqipëria është vizituar këtë vit edhe nga persona që vijnë nga vendet aziatike.
Për një vizitor nga Hong Kongu, ndërthurja e liqeneve, lumenjve, deteve dhe maleve e bën Shqipërinë një nga vendet me të veçanta që ka parë.
Ndërkohë, ata theksuan se për të eksploruar Shqipërinë, çdo i huaj duhet të marrë fillimisht informacione të detajuara, pasi ka pika të shumta turistike, të cilat nuk duhen humbur.


