VIDEO/ Manchester United e nis me fitore, Zirkzee bën “djallin” në debutim. Ten Hag: Është vetëm ndeshja e parë

Manchester United-i e ka nisur me fitore sezonin e ri në Premierligë, pasi në ndeshjen hapëse të elitës angleze fitoi 1:0 ndaj Fulhamit, me golin e debutuesit Joshua Zirkzee.

Pas një sezoni të dobët, Djajtë e Kuq duket se kanë lënë pas ditët jo të mira, për ta filluar me tre pikë në ndeshjen e parë të sezonit.

Përballja që u zhvillua në Old Trafford, i takoi skuadrës së Erik ten Hag, duke krijuar shumë raste të rrezikshme, por që përfundimi i aksioneve nuk ishin në nivelin e duhur.

Vetëm në pjesën e parë, Bruno Fernandes, shpërdoroi dy raste të arta, për të vazhduar pastaj me Casemiron që nga afërsia nuk realizoi.

45 minutat e parë u mbyllën me barazim pa gola. Djajtë e Kuq vazhduan me ritëm të njëjtë, sërish ishin më kërkues se kundërshtarët dhe vazhduan të krijonin raste, por vetëm një gol e vendosi fatin e takimit.

Zhvillohej minuta e 87-të, kur Alejandro Garnacho asistoi në zonë, me Joshua Zirkzeen që ishte në vendin e duhur, për ta çuar topin në rrjetë për rezultatin 1:0.

Ylli holandez debutoi sot për Manchester Unitedin, pasi u transferua në këtë afat kalimtar nga Serie A, duke bërë kështu fillim ëndrrash në Teatrin e Ëndrrave.

Manchester United tani shkon në kuotën e tre pikëve me fitoren në frymën e fundit, teksa ndeshja e tyre e radhës do të jetë më 24 gusht në udhëtim te Brighton.

Shijon këtë fitore, por dhe paraqitjen e ekipit trajneri Ten Hag:

“Është vetëm ndeshja e parë, por kjo fitore shërben për të përforcuar besimin në ekip. Nuk është vetëm fitorja që më kënaq, por dhe paraqitja ekipit. Sigurisht ka gjëra për t’u përmirësuar, por është vetëm ndeshja e parë”, u shpreh Ten Hag pas suksesit 1-0 përballë Fulham.