Goditje e dyfishtë, Laçi prezanton ish-sulmuesin e Shqipërisë U21

Laçi ka zyrtarizuar dy afrime. Pas Kleandro Lleshit, Emiliano Bullari dhe Samuel Opeh janë dy përforcimet e radhës për skuadrën e drejtuar nga Armando Cungu.

I pari aktivizohet si sulmues, teksa më parë ka veshur fanellën e ekipit kombëtar U21 të Shqipërisë. Duke realizuar 3 gola në 6 takime me Shpresat.

23-vjeçari i dalë nga akademia e Olympiacosit, është grumbulluar edhe me kombëtaren A të Shqipërisë, por pa mundur të debutojë.

Bullari ishte pjesë e AO Egaleos në Greqi në fazën e dytë të sezonit të fundit, teksa tashmë do të provojë për herë të parë Superioren me bardhezinjtë kurbinas.

Klubi verior ka zyrtarizuar edhe Opeh, qendërmbrojtësin nigerian, sigurimi i shërbimeve të të cilit ishte njoftuar ditë më parë.

25-vjeçari, dikur pjesë e Nigerisë U17, përveçse në vendlindje është aktivizuar edhe në Uzbekistan. Tani zbarkon në Shqipëri për të forcuar prapavijën e Laçit.

Skuadra e Cungut do të zhvillojë sot miqësoren e radhës në prag të nisjes së sezonit 2024/2025 në Superiore.

Kurbinsit do të presin në shtëpi Vllazninë e Thomas Brdaric, me sfidën që do të fillojë prej orës 17:30.