“Miliona lekë nga buxheti i shtetit”, PD kërkon t’i hiqet mandati, reagon deputeti i PS, Sina: As më shkon mendja të ...

Një ditë pasi grupi parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi depozitimin në Kuvend të një mocioni për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sina, ky i fundit ka reaguar në rrjetet sociale këtë të mërkurë.

Sipas demokratëve, deputeti socialist ka përfituar miliona lek nga buxheti i shtetit përmes kompanisë së tij private, por ky i fundit mohon.

“Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.

Për sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:

- Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.

- Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.

- Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. 

Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit”, shprehet Sina.

NJOFTIMI I PD:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina.

Më konkretisht, ai ka shkelur pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ku thuhet qartë se: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.

Pika pasardhëse e nenit 70 shprehet se: “Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”

PD ka njoftuar se mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe nga Buxheti i Shtetit, do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend.

“Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.

Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend.” – thuhet në njoftimin e PD-së.

Përfitimi i parave publike nga Vullnet Sina

Deputeti biznesmen Vullnet Sina është pronari me 100 % të kapitalit i kompanisë “BIGALB GROUP”, me të cilën menaxhon rreth 67 pika supermarketesh “Big Market”.

Në media janë publikuar dokumentet se Vullnet Sinaj ka përfituar para publike në kundërshtim me Kushtetutën, përmes kompanisë  “Big Durrësi”, ku  rezulton se ka marrë pagesa nga Shtëpia e të Moshuarve në Durrës, ndonëse në vlera të ulëta. Kompania Big Durrësi, e cila ka përfituar para publike, është 50 % në pronësi të kompanisë “BIGALB GROUP”.

Në një kohë që mban mandatin e deputetit, Vullnet Sinaj ka përfituar para publik edhe përmes kompanive “Big Lisus”, Big Peshkopia” apo “Big Roi” etj., të cilat janë pika të supermarketeve “Big Market”.

Ndërkohë, vlen për t’u theksuar fakti se kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të mbajtur në Kongresin e PS-së, më 28 Korrik, Vullnet Sinën e konsideroi si deputetin për t’u marrë shembull nga socialistët, edhe pse siç duket ai ka shkelur Kushtetutën. Fjalët e Ramës e prekën emisionalisht deputetin socialist, aq sa nuk arriti dot t’i mbante lotët në Kongres.

“Vullnet Sina është njëri prej tyre, i ka në rregull punët e veta do thuhet nëper kafene por në fakt Vullneti rregull kishte edhe pa hyrë fare në skuadrën tonë, nuk është i vetmi kurrsesi, por ia zura emrin se para disa kohësh më tha se dëshiron ta mbyllë angazhimin e tij. Kurrë, asnjëherë nuk më ka shqetësuar për asgjë personale, por ama se ka patur problem të më shkruajë dhe pas mesnate duke u kthyer i lodhur nga dita e gjatë në një prej zonave më të varfra dhe më të vështira ku ka bërë atje sa një qeveri e tërë për njerëzit.” – tha Rama.

“Miliona lekë nga buxheti i shtetit”, PD kërkon t’i
Vullnet Sina duke qarë në Kongresin e fundit të PS-së