Dështimi i reformës administrativo-territoriale, Milo: Nuk arriti të sigurojë një mekanizëm për të zbutur diferencat mes bashkive
Sekretari për Çështjet e Financave dhe Ekonomisë në Partinë e Lirisë, prof. Petraq Milo në një deklaratë për mediat nga foltorja e selisë së PL-së argumentoi dështimin e reformës administrativo-territoriale.
Milo tha se kjo reformë nuk arriti të sigurojë një mekanizëm të ekualizimit, për të zbutur diferencat ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore.
DEKLARATË PËR MEDIAT E PETRAQ MILOS
Një nga aspektet e reformës administrativo-territoriale ishte forcimi i kapaciteteve fiskale të bashkive më të vogla, përmes ekualizimit fiskal.
Bashkitë me më pak burime financiare ose me kapacitet më të ulët për të gjeneruar të ardhura janë në disavantazh, krahasuar me zonat më të pasura.
Ekualizimi do të duhet të ndihmonte në reduktimin e pabarazive midis rajoneve dhe bashkive të ndryshme.
Transfertat ekualizuese synojnë të mbushin këtë hendek duke ofruar fonde shtesë për zonat më të dobëta, duke u mundësuar atyre që të financojnë shërbimet publike si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, etj.
Reforma administrative – territoriale nuk arriti të sigurojë një mekanizëm të ekualizimit, për të zbutur diferencat ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore.
Së pari, fondi i ekualizimit vetëm 3.7 milion Euro ose në 0.02% e PBB. që përfitojnë bashkitë, nuk ndikon në sigurimin e një mekanizmi ekualizues.
Së dyti, mbas reformës nuk tregohet një përmirësim, por përkundrazi është thelluar pabarazia ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore.
Bashkitë më të mëdha janë fuqizuar duke siguruar më shumë të ardhura për frymë, kur ndërkohë që bashkitë e vogla kanë pësuar një rënie, duke ndikuar drejtpërdrejt në thellimin e pabarazisë.
Në tërësi pas reformës administrative, konstatohet një përqendrim i ndjeshëm i të ardhurave të veta vendore të pushtetit vendor në bashkitë me mbi 100 mijë banorë.
Ky përqendrim ka rritur ndjeshëm diferencat fiskale ndërmjet njësive, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë është reflektuar në cilësinë e shërbimeve publike që i ofrohet komunitetit.
Evidencat në vite pas reformës tregojnë se bashkitë me të ardhura të larta, janë bërë akoma më të mëdha dhe bashkitë e vogla janë bërë akoma më të vogla.
Bashkitë e mëdha janë fuqizuar duke siguruar më shumë të ardhura për frymë, ndërkohë që bashkitë e vogla kanë pësuar një rënie, duke ndikuar drejtpërdrejet në thellimin barazinë.
Së treti, sipas treguesit të të ardhurave konstatohet se:
11 bashki me mbi 100 mijë banorë ose 18% e bashkive kanë akumuluar gjatë vitit 2022 rreth 24 miliard lekë ose ndryshe rreth 80% të totalit të të ardhurave të pushtetit vendor.
13 bashki, ose 21% e totalit te bashkive me një popullsi nga 50 mijë - 100 mijë banorë, kanë mbledhur vetëm 2.7 miliard lekë të totalit të të ardhurave vendore.
37 bashki ose 67% e totalit te bashkive, gjatë vitit 2022 kanë mbledhur vetëm 3.4 miliard lekë ose 11.3% të totalit të të ardhurave të pushtetit vendor.
Së katërti, sipas treguesit të shpenzimeve konstatohet se :
11 bashkitë, të cilat kanë popullsi mbi 100 mijë banorë, gjatë vitit 2022 kanë shpenzuar rreth 35.3 miliard lekë, ose rreth 61% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor.
Ky grup i bashkive kanë shpenzuar gjatë vitit 2022 rreth 6.6 miliard lekë shpenzime për investime ose rreth 56.8% të të gjithë shpenzimeve për investime të pushtetit vendor.
13 bashkitë me popullsi nga 50 mijë -100 mijë banorë, kanë realizuar rreth 9.5 miliard lekë ose vetëm 16% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor.
Shpenzimet për investime për këto 13 bashki zënë 1.8 miliard lekë ose 15.5% të totalit të shpenzimeve.
37 bashkitë me një popullsi nën 50 mijë banorë, kanë realizuar rreth 13.1 miliard lekë shpenzime, ose rreth 23% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor.
Këto 37 bashki kanë realizuar shpenzime për investime rreth 3.1 miliardë lekë vetëm 26.7% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor.
Kjo tregon dhe njëherë thellimin e pabarazisë, si në nivelin e të ardhurave, dhe në nivelin e shpenzimeve, nëpërmjet bashkive, sidomos në bashkitë e mëdha dhe në bashkitë më të vogla.
Gjithashtu, Partia e Lirisë në politikat e saj për përmirësimin e qeverisjes vendore do të propozojë:
Rishikimin dhe përmirësimin e sistemit aktual të ekualizimit fiskal, për të siguruar një ndarje më të drejtë dhe më efikase të burimeve financiare ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore.



