15 VITE NË PUSHTET/ Protestat në Bangladesh e detyrojnë të largohet kryeministre Sheikh Hasina
Pas protestave masive anti-qeveritare me qindra të vdekur në Bangladesh, kryeministrja ka dhënë dorëheqjen këtë të hënë dhe është larguar nga vendi. Pritet formimi i një qeverie të re, ndërsa nuk dihet ende kush do ta drejtojë
Kryeministrja e Bangladeshit Sheikh Hasina dha dorëheqjen këtë të hënë dhe raportohet se është larguar nga vendi, duke i dhënë fund 15 viteve në pushtet, pasi mijëra protestues kundërshtuan një shtetrrethim ushtarak dhe sulmuan rezidencën e saj zyrtare.
Vendndodhja e Hasinës nuk është bërë e ditur, por raportohet se bashkë me motrën e saj janë dërguar me një helikopter të ushtrisë në një vend të sigurt.
Shefi i ushtrisë, Waker-uz-Zamaniu drejtua vendit në një fjalim televiziv ku njoftoi se do të formohet një qeveri e përkohshme. Nuk dihet ende kush do të jetë në krye, por shtoi se ka arritur të flasë edhe me partitë opozitare.
Ditët e fundit situata në Bangladesh është përkeqësuar, me qindra të vdekur në protestat masive të dhunshme kundër qeverisë, një nga kryengritjet më të këqija që ka parë vendi i Azisë Jugore që kur u krijua në 1971.
Protesta e studentëve filloi në korrik me thirrjet për të hequr kuotat e punës në shërbimin civil, por u shndërrua në kërkesa që kryeministrja të largohej, pasi ka udhëhequr Bangladeshin që nga viti 2009.
Dorëheqja e Sheikh Hasina vjen një ditë pas përleshjeve midis policisë dhe protestuesve që lanë të paktën 90 të vdekur, ndërsa rreth 300 janë vrarë gjatë muajit të kaluar pasi autoritetet kanë shtypur protestuesit anti-qeveritarë.


