Nga plagosja në 2017-n, prangosja e lirimi në Dubai, kush është “Dari i Elbasanit” me dy masa sigurimi. Vjedhja e 50 kg kokainë që futi në luftë Alibejn me Çopjat
Hajdar Bako, njeriu që njihet ndryshe nga policia kriminale si “Dari i Dubait”, është shpallur në kërkim nga SPAK, për një seri sulmesh me armë, që kanë pasur si pasojë vrasjen e 6 personave dhe plot 14 raste të “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”.
Aktualisht “Dari”, po shijon pushimet pa afat në Dubai, pikërisht në perandorinë e investimeve të tij në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Bako është vëllai i madh i tre vëllezërve Ervin dhe Franci Bako alias Franc Gergely, ky i fundit i arrestuar në një Republikë Islamike dhe ekstraduar vitin e kaluar në Belgjikë, lidhur me dyshimet se është i përfshirë në vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë.
Pavarësisht se emri i tij u bë më i njohur për prokurorët e SPAK dhe publikun, gjatë dëshmisë së dhënë nga Erion Alibej dhe Nuredin Dumanit, në fakt ai kishte disa kohë më parë që ishte skenduar në arkivat e Drejtësisë, si i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.
Vëllezërit Bako, fillimisht ishin miq dhe bashkëpunues në tregtinë dhe trafikun e kokainës në Itali të kryer së bashku me dy vëllezërit Enea Alibej alias “Tarzani” dhe Erjon Alibej alias “Krymi”.
Por përplasja e tyre lindi vetëm pasi mbi dy vëllezërit Alibej, rranë dyshime të forta se ata i kishin vjedhur 50 kg kokainë vellëzërve Çopja në Itali. Kjo solli dhe shkëndijën e parë mes tyre duke hapur më pas një kalvar eleminimesh fizike.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka raportuar edhe më parë se Hajdar Bako njihet ndryshe dhe me emrin “Hajdar Hysa apo Hajdar Çopja” dhe për herë të fundit kur ai ka hyrë në Shqipëri, është data 6 shkurt 2021, i cili ka udhëtuar nga Italia në drejtim të “Rinasit” në Shqipëri dhe po atë datë ai ka udhëtuar nga “Rinasi” drejt Italisë.
Për Hajdar Bakon ky nuk është urdhër-arresti i parë që lëshohet nga Drejtësia Shqiptare, pasi fillimisht Bako është arrestuar në Dubai dhe më pas liruar për shkak të një mandat-arresti të lëshuar nga prokuroria e Elbasanit.
Bëhet fjalë për një plagosje të rëndë ndaj shtetasit Klevis Gjini, ngjarje kjo e ndodhur në 7 prill 2017 në ambientet e restorant “Dervishaj” në Elbasan.
Për këtë ngjarje dy vite më parë, policia kriminale e Elbasanit, ka shpallur zyrtarisht në kërkim Hajdar Bakon, ose siç njihet ndryshe në qytet si “Dari i Dubait”, pasi ky i fundit duhet të vuajë një dënim, që përllogaritet, diku tek 3 vite e 5 muaj burgim të dhënë për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”.
Vendimi për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Hajdar Bakos alias “Hajdar Hysa”, është marë pas nxjerjes së urdhërit të ekzekutimit nga prokuroria, pasi kjo e fundit së bashku me policinë e Elbasanit, duhet të zbatojnë një vendim të Gjykatës së Apelit Durrës.
Redaksia disponon vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, që kthente në burg Hajdar Bakon, për një plagosje të rëndë në 2017, të shkaktuar me armë zjarri në dëm të shtetasit Klevis Gjini.
Sipas vendimit në 8 qershor 2022 gjyqtari i vetëm i Apelit Durrës, Florian Kalaja, ka vendosur të prishë vendimin e gjyqtarit të Elbasanit, Taulant Tafa, që urdhëronte rifillimin e praktikës nga e para të periudhës së vuajtjes së dënimin me kusht të Bakos, pranë shërbimit të provës Elbasan.
Në vendimin e tij gjyqtari, Florian Kalaja, e konsideron jo të drejtë dhe të pabazuar në ligj, vendimin e gjyqtarit Tafa, të marë në datën 3 mars 2022, i cili çonte në pikën zero periudhën e vënies në shërbim prove të Hajdar Bakos.
Tafa e ka vlerësuar objektive pamundësinë e të dënuarit Bako, për të respektuar detyrimet për kontaktet me Shërbimin e Provës, për shkak të kufizimeve të lëvizjes së kohës së pandemisë dhe për shkak të ekzaminimeve mjekësore në këmbë, që i dënuari ka kryer jashtë shtetit në Spanjë dhe Londër.
Por vendimarja e gjyqtarit Tafa, u ankimua nga prokurori Mustafa Turku, i cili parashtronte në ankimin e bërë në apel se:
“…haptazi provohet se i dënuari Hajdar Bako, nuk ka vullnet për të ekzekutuar dënimin alternativ, pasi nga viti 2017 deri në vitin 2022 ai ka qendruar në Shqipëri vetëm 11 muaj…”.
Hajdar Bako, për herë të fundit që ka hyrë nga “Rinasi” në Shqipëri dhe është paraqitur në shërbimin e provës, është data 6 shkurt 2021.
Nisur nga kjo situatë prokuroria, ka kërkuar në gjykatën e Apelit, ndryshimin e vendimit dhe revokimin e vendimit të dënimit alternative, duke aplikuar vuajtjen e dënimit të mbetur me burgim.
Më 8 qershor 2022, gjyqtari Florian Kalaja, ka vlerësuar se ankimi i prokurorisë Elbasan, rezulton i bazuar në ligj dhe në prova dhe se vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të ndryshohet, duke u urdhëruar policia e shtetit dhe prokuroria që të vijojë ekzekutimin e vendimit të dënimit me burgim në pjesën e mbetur të dënimit për Hajdar Bakon.
Gjyqtar Kalaja, konstaton se në këtë çështje provohet tej çdo dyshimi se i dënuari Bako i është shmangur detyrimit ligjor për të ekzekutuar mundësinë e rehabilitimit penal, përmes dënimit alternativ të dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit.
Kush është Hajdar Bako? Jeta mes Dubait e Elbasanit
Hajdar Bako njihet në Elbasan dhe me mbiemrat Çopja dhe Hysa. Ndërsa së bashku me dy vëllezërit e tij, Franc Bako alias Çopja dhe Ervin Bako alias Çopja, ka dyshime të forta se drejtojnë një grup kriminal që ka si specialitet trafikimin e lëndëve narkotike në disa shtete të Europës.
Bako thirret ndryshe si “Dari i Dubait”, ndërsa jeton në Dubai, ku vizitën e fundit në Shqipëri e ka pasur në 6 shkurt 2021.
Sipas dosjes hetimore Hajdar Bako, rezulton i dënuar pasi në 7 prill 2017, si pasojë e një shkëmbimi zjarri ka plagosur rëndë, Klevis Gjinin.
Të dyja palët kanë qenë të armatosur dhe në total është qëlluar 16 plumba me pistoletë në ambientet e restorant “Dervishaj”.
Në këtë përplasje me armë, Hajdar Bako alias Çopja ka qënë i shoqëruar me vëllain e tij, Franc Çopja. Të dy së bashku janë konfliktuar dhe dy vëllezërit Klevis dhe Alfred Gjini si dhe me djalin e xhaxhait të tyre, Emiljano Gjini.
Fillimisht mes pesë persona ka nisur një konflikt verbal, më pas ka vijuar me goditje fizike, duke u pasuar me përdorimin e armëve.
Si pasojë e kësaj përleshje fizike dhe me armë, kanë mbetur të plagosur Klevis Gjini, Hajdar Bako dhe Emiljano Gjini.
Klevisi është arrestuar nga prokuroria për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” ndaj Hajdar Bakos, ndërsa ky i fundit është arrestuar për plagosjen e rëndë ndaj Klevis Gjinit.
Të dy palët janë shpallur fajtor dhe dënuar nga Gjykata e Elbasanit.



