5 milionë për 7 muaj/ Rama ndan pamjet: Korriku priti 1.1 milionë turistë të huaj

Muaji korrik solli në Shqipëri 1.1 milionë turistë të huaj, rrreth 300 mijë më shumë se në vitin 2023. Kryeministri Edi Rama ndau pamjet dhe deklaratat e vizitorëve të cilët u shprehën se mikpritja dhe natyra ishin karakteristikat më të veçanta të vendit tonë.

Vetëm për muajin korrik aeroporti i Rinasit ka pritur 1.1 milionë vizitorë, rreth 300 mijë më shumë se vitin që lamë pas.
Të dhënat u publikuan nga vetë Kryeministri Edi Rama i cili ndau në Facebook dhe shifrën e hyrjeve në vendin tonë për 7 mujorin e parë të vitit i cili i ka tejkaluar numrin e 5 milionë vizitorëve.

Në videon e publikuar, kreu i qeverisë ndau jo vetëm pamje nga aeroporti i tejmbushur i kryeqytetit por edhe deklarata të turistëve të huaj, të cilët ishin në një zë për një karakteristikë të veçantë të Shqipërisë, mikpritjen.

Turisti 1: Kam në plan të kthehem sërish në Shqipëri. Kam udhëtuar dhe më parë në Evropën Lindore dhe pak a shumë e dija se çfarë më priste por u befasova nga shumë gjëra si për faktin se njërëzi shqiptarë janë tepër mikpritës.

Turistja 1: Së bashku me tim bir udhëtuam përgjatë gjithë vendit. Njerëzit ishin tepër mikpritës. Ishim në Berat, në Gjirokastër dhe në plazhe dhe ishte një eksperiencë fantastike. Keni malet dhe detin, gjithçka ishte përrallore.
Bukuritë natyrore ishin një tjetër arsye përsë turistët e huaj pëlqyen shqipërinë.

Turistja 2: Isha në Himarë dhe plazhi ishte fantastic. Më pëlqeu sepse deti ishte më i pastër se në Greqi.

Turisti 2: Kaluam 3 javë në Shqipëri. Kemi udhëtuar me kajakë, kemi fjetur në tenda pranë lumit Vjosë. Ishte shumë argëtuese.

Turistja 3: Kam qëndruar për 21 ditë në Shqipëri. Isha në jug dhe në veri. Bukuritë natyrore që më lanë më shumë mbresa ishin në Valbonë dhe në Theth.

Vitin që lamë pas në Shqipëri u regjistruan rreth 10 milionë turistë të huja, një rekord që sipas Kryeministrit Edi Rama do të thyhet këtë vit.