Festa në Vlorë nuk ndalet/ “Sunwave festival” dhe “Summer Up” gati të dhurojnë spektakël
Qyteti bregdetar i Vlorës në këtë periudhë të vitit frekuentohet nga turistë të shumtë. Por bregdeti nuk është i vetmi atraksion. “Sunwave festival” dhuron spektakël gjatë mbrëmjes me këngëtarë të mirënjohur, teksa “Summer Up” sjell aktivitete të shumta sportive gjatë ditës
Qyteti i Vlorës, nën tingujt e muzikës, po bën përgatitjet e fundit të “SUNWAVE festival”. Kjo festë do i dhurojë turistëve netë të mbushura me argëtim e spektakël.
Ky organizim vjen për herë të parë në Vlorë dhe pritet që në vitet në vazhdim të ngelet një traditë për qytetin bregdetar.
Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, gjithashtu përcolli një mesazh duke treguar rëndësinë e madhe që kanë aktivitete të tilla.

“Kemi 2 momente shumë të rëndësishme për qytetin tonë prandaj dhe sot dua t’ua përcjell këtë mesazh. Ky festival identifikon edhe çfarë Vlora është në të vërtet. Do të ketë një ngjarje vibrante, do të jenë dy dite të mbushura plot me aktivitete”, u shpreh kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.

Artistë të shumtë, si: Aleksandër Gjoka, Alban Skënderaj, Capital T, janë bërë pjesë e këtyre dy netëve feste në qytetin bregdetar të Vlorës, duke dhuruar atmosferë si kurrë më parë.
Ndryshe nga organizime të ngjashme, ku aventurat vazhdojnë edhe gjatë ditës me aktivitete sportive spektakolare në tokë, ujë dhe ajër.
Paralelisht do të zhvillohet edhe festivali sportiv “Summer Up”. Kjo ngjarje do të përfshijë sporte si: Yoga, beach volley, street basket, shah, tenis etj.

Por ky sezon veror nuk do të mjaftohet me kaq. Gushti në Vlorë do të vazhdojë të jetë i mbushur me aktivitete të shumta duke i dhuruar pushuesve netë të paharrueshme.

