U KAP NË DUBAI/ Merr fund arratia e "mbretit të narkotikëve", Dorian Petoku ishte i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane
Ka marrë fund arratia për 35-vjeçarin shqiptar me origjinë nga Lezha, Dorian Petoku, i cili konsiderohet ndryshe si “mbreti i narkotikëve”, teksa ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane.
Mediat përtej Adriatikut raportojnë se ai është arrestuar në Dubai, pas një bashkëpunimi të Guardia di Finanza dhe policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Petoku është një ngha emrat e njohur të klaneve mafioze shqiptare në Itali, teksa ishte strehuar në Dubai pasi ishte arratisur në dhjetor të vitit 2023 nga qendra rehabilituese në Nola të Napolit, ku ishte transferuar me një certifikatë mjekësore.
Ai raportohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, konkretisht 7 ton nga Brazili drejt Livornos.
Petoku është akuzuar se furnizonte me drogë organizatën e drejtuar më parë nga Fabrizio Piscitelli, i njohur ndryshe si ‘Diaboliku’. Ky i fundit u vra më 7 gusht 2019 me një plumb në kokë. Pas vrasjes së Piscitelli, 35-vjeçari zgjeroi biznesin dhe pushtetin së bashku me kushëririn e tij Arben Zogun.
Kishte humbur çdo gjurmë. Pas arratisjes ai e gjeti strehimin në Dubai.
Arratisja e Petokut në vitin 2023 ishte e lidhur me zbulimet e të penduarit Fabrizio Capogna, i cili filloi të bashkëpunonte me prokurorët romakë duke zbuluar detaje vendimtare mbi strukturën kriminale. Ajo strukturë kriminale romake, shtyllë e së cilës ishte Petoku dhe që tani po shembet.
Kapja e tij shënon një goditje të re të fuqishme kundër krimit të organizuar në Romë. Autoritetet italiane nuk e kishin pushuar asnjëherë kërkimin e tij. Përpjekjet e përbashkëta të Gico-s të njësisë së policisë financiare të Policisë Ekonomike dhe Financiare të Romës dhe të prokurorëve të DDA Edoardo De Santis, Giovanni Musarò, Mario Palazzi dhe Francesco Cascini çuan në arrestimin e tij.


