Interi në kërkim të një sulmuesi, një holandez ofrohet me parametra zero

Me Correan dhe Arnautovic që pritet të largohen gjatë muajit gusht, Interi po punon për të sjellë një tjetër sulmues në organikën e Simone Inzaghit, teksa emrat në listën e drejtuesve janë dy.

I pari qëndron islandezi i Genoas, Albert Gudmundsson, por një çëstje gjyqësore që ai ka në vendin e tij dhe ofertat e shumta nga Premier League që i kanë rritur çmimin e kartonit, kanë bërë që zikaltrit të stepen disi.

Pikërisht për këtë arsye, së fundi ka fituar terren holandezi Memphis Depay, i cili është futbollist i lirë, pasi i ka skaduar kontrata me Atleticon e Madridit.

Depay u është ofruar zikaltërve të firmosë me ta për dy sezone, kundrejt një page prej 5 milionë eurosh në vit, teksa Marotta ka marrë kohë të reflektojë.

Sulmuesi 30-vjeçar ka një CV për t’u admiruar, pasi në të shkuarën ka luajtur edhe për klube i Manchester United e Lyon, teksa ofron garancitë e duhura teknike e finalizuese, për të qenë një vlerë e shtuar për sulmin e Simone Inzaghit.

Për më tepër, Depay ka treguar te Atletico e Madridit se di të qëndrojë në stol pa bërë polemika dhe të japë gjithmonë më të mirën sa herë që i kërkohet të zbresë në fushë.

Gjithsesi para se zikaltrit të ndajnë mendjen, duhet të sistemojnë Correan, për të cilin ka oferta nga Argjentina dhe Arabia Saudite, por edhe ausriakun Arnautovic, i cili gjithashtu kërkohet nga klubet arabe.